
Një plagosje me armë të ftohtë ka ndodhur në fshatin Hoshtimë të Vlorës. Një burrë me djalin e tij janë përfshirë në një konflikt familjar pas një sherri banal që lidhej me çështje pronësie.
Burime zyrtare nga policia lokale i thanë sot NOA-s se kanë arrestuar në flagrancë pas konfliktit fizik, Musa Malaj, 55 vjeç dhe Edi Malaj, 29 vjeç, të dy me banim në Hoshtimë, Vlorë.
Ata akuzohen për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” të mbetur në tentativë.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Hoshtimë, në banesën e shtetasit Mit’hat Malaj, 62 vjeç, (vëllai i Musa Malaj).
Musai dhe Edi kanë shkuar në banesën e këtij shtetasi, ku për motive të dobëta në fillim janë konfliktuar me fjalë dhe më vonë situata është tensionuar duke kaluar në konflikt fizik.
Gjatë konfliktit fizik, Mit’hat Malaj është goditur disa herë me mjet mprehës (gërshërë) në pjesën e brinjëve dhe është goditur gjithashtu me një levë hekuri në të gjithë trupin.
Për pasojë ka marrë dëmtime të ndryshme në trup dhe është transportuar menjëherë në spitalin e Vlorës për të marrë mjekimin e nevojshëm, ku sipas mjekëve jashtë rrezikut për jetën. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





