




Berat, 31 gusht 2015, NOA.al- Kapet pas 8 orësh negociata 34-vjeçari Fatmir Bregu, i cili akuzohet se vrau për një vijë uji për vaditje, bashkëfshatarin e tij, 28-vjeçarin Namik Gjika.
Policia ka arritur të finalizojë me sukses negociatat e saj, pasi i dyshuari këmbëngulte se nuk do të dorëzohej dhe se do të vriste veten.
Në momentet e para pas arrestimit i dyshuari tha se nuk ka dashur ta vrasë bashkëfshatarin, porse gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër.
Prej paradites forcat RENEA mbajtën nën rrethim Fatmir Bregun, në një zonë mes fshatit Lybesh dhe Fushë Peshtan, në Berat. I dyshuari akuzohet se vrau në mëngjes 28-vjeçarin Namik Gjika.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti për ujin që përdoret për vaditje. Bregu akuzohet se e qëlloi me breshëri dhe e la të vdekur në vend fqinjin e tij.
Bregu u fsheh në një zonë me pyje afër fshatit, por u lokalizua nga policia me anë të valëve të celularit që mbante me vete.
Grupi negociator i RENEA-s i kërkoi të dorëzohej. Por për orë të tëra ai refuzonte dhe kërcënonte se nëse policia afrohej, ai do të kryente vetëvrasje.
Policia kishte bllokuar të gjitha rrugët e fshatit dhe e kishte izoluar të dyshuarin.
I dyshuari rrethohet nga policia, kërcënon me vetëvrasje
Kërcënon me vetëvrasje i dyshuari i krimit në fshatin Lubesh të Beratit. Policia ka lokalizuar dhe rrethuar zonën ku qëndron i fshehur autori i dyshuar i vrasjes së 28-vjeçarit Namik Gjika.
“Grupi negociator i Reneas ka negociuar me telefon me autorin me qëllim që autori të dorëzohet, por ky shtetas deri tani nuk është bindur për t’u dorëzuar”, – njofton policia.
Pas thirrjes policore për dorëzim ai ka kërcënuar se do të vrasë veten. “Autori po mbahet nen rrethim nga Policia e Beratit dhe RENEA. Grupi negociator i RENEA-s vijon negociatat për të bërë të mundur dorëzimin e tij”- njofton policia.
Vrasja
Jeta e një djali të ri mori fund dhimbshëm pas një sherri me fqinjin për vijën e ujit në vendbanimin e tyre.
Namik Gjika, 28 vjeç, u qëllua me armë zjarri dhe për pasojë gjeti vdekjen e menjëhershme, teksa debatonte me komshiun e tij për vijën e ujit që përshkonte oborret e shtëpive të tyre.
Krimi ndodhi sot në fshatin Lybesh të komunës Vërtop në Berat, raporton noa.al, kurse vrasësi u zhduk në drejtim të paditur.
Policia lokale tha zyrtarisht se autori i krimit është Fatmir Bregu, 34 vjeç, banues në fshatin Lybesh.
“Bregu ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Namik Gjika, 28 vjeç, banues në Lushnje, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pas një konflikti për motive të dobëta”, – tha policia.
Ajo konfirmoi se vrasja ka ndodhur paranë një lokali në fshatin e Lybesh pas, pas konfliktit për shkak të një vije uji.
Në vendngjarje ka shkuar policia dhe grupi hetimor i cili po punon për kapjen e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Policia tha se materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprime të mëtejshme. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





