
Një debat i ashpër është ndezur në fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbi çështjen e Emigracionit, i shkaktuar nga kandidati republikan Donald Trump i cili ka bërë thirrje për deportimin e 11 milionë emigrantëve të paligjshëm.
Por një grup studentësh pa dokumente nga universiteti Nju Jork City, të cilët përkohësisht janë të mbrojtur nga depërtimi (riatdhesimi në vendin e origjinës), kanë një pikëpamje tjetër mbi këtë çështje.
Biznesmeni miliarder bën thirrje për deportime masive.
Donald Trump, kandidati presidencial:
"Meksika po sjell njerëzit e saj këtu, ata po sjellin drogën, krimin, përdhunuesit, dhe disa prej tyre mendoj se janë njerëz të mirë".
Retorika e kandidatit republikan për president, Donald Trump ka krijuar ndjenja të forta në fushatën presidenciale.
Por në kampusin e universitetit Nju Jork City, disa nga studentët të cilët mund të ndikohen nga këto thirrje nuk janë aq të shqetësuar:
"Mendoj se ai është thjesht një person që përpiqet të mbjellë frikë. Ka plot njerëz të tillë. E vetmja mënyrë për t’u marrë me këta është t’i injorosh”.
Tatiana është një nga shumë studentët pa dokumente që kanë përfituar nga dekreti i përkohshëm i Presidentit Obama, për t’i mbrojtur ata nga deportimet. Ata thonë se kritikat e ashpra ndaj emigrantëve nuk janë një gjë e re:
"Kohët e fundit janë thënë disa gjëra mjaft provokuese nga një person i veçantë, dhe të them të drejtën ato nuk kanë patur ndikim tek unë".
Një shkëmbim i zotit Trump me gazetarin me origjinë latine Jorge Ramos tregoi se sa emocionale është kjo temë.
Zoti Trump e largoi një gazetar që i bëri pyetje nga dhoma.
Ndërkohë, një tjetër kandidat republikan për president, ish-Guvernatori i Floridës Jeb Bush, ka qenë tepër kritik ndaj planit të zotit Trump për deportimet.
Jeb Bush, kandidat presidencial:
“Trump beson se është e lehtë të mbledhësh të gjithë njerëzit dhe t’i deportosh ata, sepse ai është i suksesshëm dhe ai ka njerëz të suksesshëm që punojnë për të dhe mendon se kjo qasje do të funksionojë".
Studenti Francisco Tecaxco dëshiron që kandidatët presidencialë të jenë të kujdesshëm:
"Shumë republikanë i shohin studentët pa dokumente ose emigrantët si kriminelë. Ata bëjnë shumë komente negative, por ne mund t’u tregojmë atyre se kjo nuk është e vërtetë, se ka shumë studentë të mirë. Ne jemi në universitet, po gjejmë mënyra për të studiuar në universitet".
Këta studentë e dinë se presidenti i ardhshëm nuk do të marrë detyrën deri në janar të vitit 2017, dhe vetëm atëherë ata mund të përballen me mundësinë e deportimit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





