Transmetuar më 30-08-2015, 11:25

Tiranë, 30 Gusht 2015 NOA.al – Një operacion i koduar policor, ka vënë në pranga 33 vjeçarin nga Elbasani, Alban Mero, i akuzuar për prodhim dhe mbajtje pa leje armësh gjuetie dhe sportive. I riu u gjet edhe me drogë, maska dhe fenelina policie.

Në foto dhe videon që NOA.al ju sjell përbri këtij lajmi, shikoni pamjet e armëve dhe sendeve të tjera të sekuestruara tek banesa e të riut elbasanas i cili shihet si përgjegjës për një seri vjedhjesh me dhunë, armë dhe maska në zona të ndryshme të Tiranës.

Policia tha se Alban Mero, 33 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë në një shtëpi private në Fushë Mëzez, u arrestua pasi i është dokumentuar aktiviteti kriminal për veprat penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit” dhe “prodhim dhe mbajtja pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një qese plasmani me 580 gramë marihuanë, një pistoletë 8mm pa numër dhe 18 fishekë, një pistoletë të dytë, një pushkë model 56 e gjithashtu: pushkë sportive pa numër, armë gjahu teke, tre krehra ku secili prej tyre me nga 5 fishekë, dy maska me ngjyrë të zezë, një fenelinë policie me dy llamba me ngjyrë të zezë dhe gri, 8 celularë të markave të ndryshme, një dylbi armë, një dylbi e zezë Dakota, një qese me pulla fiskale me mbishkrimin Ministria e Financave, etj.

Dyshimet janë se Alban Mero ushtronte aktivitet të gjerë kriminal, jo vetëm në lëmin e armëve pa leje, për vetë faktin se iu gjetën maska grabitësish, fenelina policie, pulla fiskale që lëshon qeveria, etj. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd