
Tiranë, 29 gusht 2015, NOA.al- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi paraditen e sotme rikonstruksionin e çerdhes nr. 30 në Laprakë, ku deklaroi se në të 31 çerdhet e kryeqytetit grupe vullnetarësh po japin kontributin e tyre për t’i sjellë ato në funksionalitet të plotë. Në një prononcim për mediat, nga ambientet e çerdhes e cila u “adoptua” nga “Biznes Albania”, Veliaj theksoi se çerdhet do të jenë gati në kohë, pavarësisht se disa prej tyre ishin krejtësisht të amortizuara dhe është dashur të ngrihen nga e para.
“Në 31 çerdhet e Tiranës ka nga një grup vullnetarësh, të cilët po mundohen të sjellin në terezi institucionet ku u shërbehet qytetarëve tanë më të vegjël, bebeve të Tiranës. 29 çerdhe janë adoptuar nga biznese dhe individë, ndërsa dy të tjerat po bëhen gati nga stafi i bashkisë”, deklaroi Veliaj. Sipas tij, nëse do të llogaritet puna e bërë në këto çerdhe dhe vlera materiale që është investuar, vlera monetare do të ishte në vlerën e 2 milionë dollarë.
Për shkak të borxhit të trashëguar nga administrata e kaluar prej 31 milionë dollarë, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se do të kishte qenë e pamundur që 31 çerdhet të përgatiteshin në kohë. “Më vjen mirë që kërkesës sonë publike dhe nevojës për solidaritet i’u përgjigjën 29 biznese të Tiranës, të cilat bashkë me dy grupe vullnetare, arritën në kohë rekord t’i transformojnë këto hapësira, ku u shërbehet qytetarëve më të vegjël të qytetit tonë”, tha ai, duke vlerësuar solidaritetin e treguar nga ata që kontribuan.
“Sot është çasti kur ne jemi ngritur bashkë. Mesazhi që japim për të gjitha ato familje që kthehen nga pushimet është se nuk u dorëzuam përpara disfatës së borxhit, përkundrazi i gjetëm zgjidhje një situate që në kushte normale nuk do të duhej të ishte kështu”, tha Veliaj. Ndërsa, sqaroi se po punohet shumë për rikuperimin e shërbimeve dhe rritjen e të ardhurave, kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se gjithsesi në një qytet serioz, gjërat nuk mund të bëhen vetëm me ndihma humanitare.
Duke u fokusuar te aksioni për lirimin e hapësirave në njësinë nr. 5, Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve. “Disa njerëz mërziten nga këto aksione. Por, në trotuaret që lirojmë kalojnë edhe nënat, edhe gratë, edhe gjyshet e fëmijët e tyre, ndaj besoj se 1% e atyre që mërziten nga aksionet tona do ta kuptojë se 99% e qytetarëve të Tiranës do shtet, disiplinë, rregull, higjienë dhe pastërti”, tha Veliaj.
Ai falenderoi gjithashtu, vullnetarët e administratës së Bashkisë së Tiranës që iu bashkuan sot brigadave që kanë adoptuar çerdhet për t’i ndihmuar dhe për të dhënë kontributin e tyre. “Në pamundësi për të qenë në 31 çerdhet ku po punohet sot, falenderoj 31 grupet e vullnetarëve që lanë pushimet e tyre, për të qenë në krah të Bashkisë në këtë nismë solidariteti”, përfundoi Veliaj.
Presidenti i shoqatës “Biznes Albania”, Luan Bregasi, njëherësh këshilltar në Këshillin Bashkiak të Tiranës, tha se duke i’u bashkuar nismës “Adopto 1 çerdhe”, biznesi ka treguar dimensionin e tij social dhe human. “Ndodhemi në këtë çerdhe për të treguar se jemi me botën e fëmijëve, jemi me ta. Nisma ‘Adopto një çerdhe’ është e gjetur, por unë do të thoja “të dashurojmë një çerdhe”, të dashurojmë fëmijët, për t’i rritur ata me gjithë suksesin dhe dëshirat që kanë për një jetë më të mirë”, deklaroi Bregasi. Ai siguroi se bizneset do të mbështesë filozofinë për të ndihmuar komunitetin në çdo nevojë që do të ketë Bashkia e Tiranës. /e.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





