
Austri, 29 gusht 2015, NOA.al- Policia austriake ne bashkëpunim me policinë Hungareze ka bërë të mundur që të evidentojë dhe ndalojë autorët që shkaktuan vdekjen e emigrantëve në një kamion në Austri. Policia hungareze ka arrestuar 4 persona si fajtorët kryesorë për vdekjen e 71 emigrantëve në kushte çnjerëzore, të cilët ishin lënë për disa ditë brenda një kamioni të tipit frigoriferik.
3 prej tyre janë bullgarë,ndërsa njëri afgan. Fillimisht forcat e policisë kishin arrestuar më shumë persona si të dyshuar për ngjarjen e rëndë, por pas disa verifikimeve pjesa më e madhe e tyre u lanë të lirë për shkak të mungesës së provave.
Kanë qenë shenjat e gishtave ato që nxorën në dritë edhe fajtorët e vërtetë. Me shpresën për t’i shpëtuar luftës në Siri, 59 burra, 8 gra dhe katër fëmijë, gjetën vdekjen në rrugët e Europës.
Ende nuk janë zbardhur shkaqet se përse trafikantët i kanë lënë personat të luftonin me vdekjen, brenda në kamion.
Mendohet se trafikantët janë spikatur nga policia, dhe për t’i shpëtuar spiunazhit të refugjatëve për biznesin çnjerëzor që ata kryejnë, i kanë lënë për disa dite brenda në kamion. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje autoriteteve të BE-së për më shumë vigjilencë ndaj të tilla rasteve, jo vetëm në rrugë detare por edhe në ato tokësore. Sipas autoriteteve të Hungarisë, në autostradat e tyre vetëm në një ditë kalojnë minimalisht 3 mijë kamionë dhe kontrolli një për një i tyre, është thuajse një betejë e pamundur për ta. /e.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





