Transmetuar më 29-08-2015, 07:52

Tiranë, 29 gusht 2015, NOA.al- Ka qenë telefona që Sokol Burhamaj (Lamaj), i cilësuar si kreu i organizatës kriminale, ka bërë me oficerin e policisë, Vladimir Zanaj, e cila ka çuar shefin e policisë prapa hekurave, si të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. Në dosjen e Prokurorisë për Krime të Rënda, thuhet se Sokol Burhamaj ka telefonuar zyrtarin e policisë duke e pyetur se, “kush ka shkuar lart në Ramicë?”, në fshatin ku më 19 gusht policia shkatërroi parcelat me hashash që kultivoheshin nga familja Lamaj.

Shefi i sektorit të personelit në policinë e Vlorës e garanton Sokol Burmahajn, se do të interesohej ai se çfarë kishte ndodhur. Për prokurorinë kaq ka mjaftuar që të firmosë urdhër-arrestin për Zanajn, pasi telefonata ishte prova e qartë se ai ishte garant për kultivimin e drogës dhe njëherazi i dyshuar si anëtar organizate kriminale. “Nga hetimi ka rezultuar se këto parcela ishin kultivuar dhe mbaheshin në mbikëqyrje nga Neko Bruhamaj. Neko ka komunikuar fillimisht Fatos Bruhamaj dhe më pas Sokol Burhamaj (Lamaj) dhe i ka vënë në dijeni për prezencën e policisë te parcelat, duke u kërkuar që të lidheshin me personat që ata njihnin, me qëllim që të mos u asgjësoheshin bimët narkotike të mbjella.

Sokoli ka telefonuar X, duke e pyetur se kush kishte shkuar lart te parcelat. Sokoli i ka thënë se me kë duhej të fliste dhe personi që dyshohet se është punonjës policie, ose i njohur i tyre, i ka thënë se do të interesohej ai”, thuhet në dosje. Efektivi Zanaj tha dje para gjykatës se s’ka lidhje me trafikun e drogës dhe pret që të flasë drejtësia. Të njëjtën gjë theksoi dhe avokati i tij. Sikurse Zanaj, në burg u lanë edhe pesë të dyshuarit e tjerë, mes tyre dhe Sokol Burha-maj, i cilësuar si kreu i organizatës kriminale. /e.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd