



Vjenë, 27 gusht 2015, NOA.al- Samiti i Vjenës ka mbyllur sot punimet e tij. Në përfundim të Samitit kryeministrat e rajonit kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, ku ata angazhohen për shkëmbime të ndërsjellta mes studentëve.
– Të ndërmarrin veprime të përbashkëta në të gjithë rajonin, për të hedhur ura afrimi mes të rinjve, si një aspekt i rëndësishëm për integrimin europian, duke promovuar kështu vlerat europiane.
– Të ndjekin shembujt më të mirë europianë, për të shëruar plagët e së shkuarës dhe ecur përpara, duke forcuar bashkëpunimin e duke marrë shembullin e Zyrës për të Rinjtë franko-gjermanë.
– Krijimin e një Zyre Rajonale për Bashkëpunimin Rinor në Ballkanin Perëndimor, si një strukturë udhëheqëse, e cila do të koordinojë bashkëpunimin rajonal, e cila duhet të jetë finalizuar deri më 1 mars 2016.
– Inkurajimin dhe ndihmën ndër të rinjtë në rajon, për të luftuar dhe distancuar veten e tyre nga fenomenet e racizmit, ksenofobisë dhe gjuhës së urrejtjes, diskriminimit në baza etnike, fetare dhe gjuhësore.
– Ndërtimin e një platforme për shkollimin profesional në fushat e IT-së, infrastrukturës, turizmit dhe energjisë, në përputhje me nevojat specifike të vendeve.
Deklaratë e përbashkët
Mbi themelimin e bashkëpunimit rajonal të të rinjve të ballkanit perëndimor
Ne, kryeministrat e vendeve pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor, në takimin e Vjenës, në kuadër të Konferencës mbi Ballkanin Perëndimor, në prani të ……………………….
– Duke pasur parasysh objektivin e vendosur në “Procesin e Berlinit” për të zgjeruar shkëmbimet ndërmjet vendeve, në veçanti midis të rinjve,
– Me synimin për të bërë më thelbësor bashkëpunim rajonal me anë të identifikimit të interesave të përbashkëta, që kanë për qëllim forcimin e kontakteve ndërmjet popujve dhe rritjen e besimit në shërbim të bashkëpunimit rajonal qytetar,
-Duke pasur parasysh se bashkëveprimi në të gjithë rajonin dhe bashkëpunimi midis të rinjve janë të një rëndësie vendimtare për të çuar më tej integrimin europian, promovimin dhe përhapjen e vlerave europiane, nxitjen e shpirtit europian, si edhe të kuptuarit e konceptit të Bashkimit Europian dhe rëndësisë e tij për qytetarët,
– Të vetëdijshëm se lidhjet më të ngushta mes të rinjve do të nxisin frymën e mirëkuptimit, tolerancës dhe miqësisë dhe duke pranuar faktin se rajoni mund të arrijë progres vetëm duke zbatuar parimet e barazisë, nëpërmjet veprimit të përbashkët dhe promovimit të përfshirjes, solidaritetit dhe bashkëpunimit,
– Të angazhuar për të përhapur dhe forcuar miqësinë mes të rinjve në rajon dhe promovuar dhe zbatuar e politikat, programet dhe aktivitetet e përbashkëta në zona që janë në interesin e drejtpërdrejtë të të rinjve,
-Duke ndjekur shembujt më të mirë europianë të përballjes me hidhërimin e së kaluarës dhe duke parë përpara për një të ardhme më të mirë të ndërtuar mbi bashkëpunim rajonal dhe frymëzuar nga modeli i Zyrës Franko-Gjermane për Rininë,
-Duke pasur parasysh se bashkëpunimi i qëndrueshëm rajonal mes të rinjve është një mekanizëm i nevojshëm për të forcuar frymën e mirëkuptimit, tolerancës, miqësisë, dhe bashkëpunimit në rajon dhe më gjerë;
Në dritën e Deklaratës së Përbashkët mbi Bashkëpunimin Rinor miratuar nga Ministrat e Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, më 22 Maj 2015, dhe të Axhendës Pozitive për Rininë në Ballkanin Perëndimor, një nismë e lançuar gjatë Samitit të Brdos nga Ministrat e Punëve të Jashtme, më 23 Prill 2015
Kanë rënë dakord si më poshtë:
– Të mbështesin shkëmbimin rinor rajonal dhe ndarjen e ideve të tyre, si hapësirë për bashkëpunimin e ardhshëm në rajonin tonë, bazuar në vlerat e bashkekzistencës, tolerancës dhe respektit për të drejtat e njeriut dhe diversitetin, si dhe në angazhimin për përfshirje dhe siguri,
– Të rrisin më tej bashkëpunimin rajonal mes të rinjve dhe institucioneve për rininë dhe të sigurojnë zbatimin e programeve rinore të përbashkëta me fokus parimet e qeverisjes demokratike, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, të arsimit dhe inovacionit,
– Të krijojnë Zyrën e Bashkëpunimit Rinor Rajonal të Ballkanit Perëndimor, si strukturë rajonale që drejton dhe koordinon bashkëpunimin e të rinjve në rajonin tonë,
-Të ngarkojnë institucionet kompetente të vendeve pjesëmarrësve, në bashkëpunim të ngushtë me Grupin e Punës për bashkëpunimin rinor rajonal, me hartimin e propozimeve konkrete që kanë të bëjnë me misionin, strukturën, aktivitetet dhe financimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, e cila do të përfundojë më 1 Mars 2016,
– Të mbështesin financiarisht krijimin dhe funksionimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor;
-Të mbështesin pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile në punimet e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor,
-Të kërkojnë fonde nga BE dhe shtetet anëtare, si dhe nga organizata ndërkombëtare dhe rajonale dhe donatorë për mbështetje të mëtejshme përmes mekanizmave ekzistuese të dhënies së fondeve.
Me synimin e :
– Promovimit të frymës së pajtimit dhe bashkëpunimit ndërmjet të rinjve në rajonin tonë duke hartuar programe të përbashkëta mbi vlerat më të mira dhe traditat kulturore të popujve tanë.
– Inkurajimit dhe mbështetjes së të rinjve në rajonin tonë për të luftuar dhe për t’u distancuar nga praktikat dhe fenomeni i racizmit, ksenofobisë, gjuha e urrejtjes, diskriminimi mbi baza etnie, feje dhe gjuhe amtare;
– Bashkëpunimit në fushën e arsimit akademik dhe shkencor duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet universiteteve, institucioneve akademike dhe shkencore.
-Promovimit të lëvizjes së të rinjve në rajonin tonë dhe në vendet anëtare të Bashkimit Europian, brenda programeve ekzistuese dhe skemave të lëvizshmërisë së studentëve.
– Hartimit dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta në kuadrin e programeve europiane, si Erasmus +, Europa për Qytetarët, EASI, dhe të tjerë, në funksion të promovimit të shkëmbimeve të studentëve, praktikave, lëvizjes dhe projekteve të përbashkëta.
– Forcimit të aktivizimit dhe vullnetarizmit mes të rinjve, duke përfshirë vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet të rinjve dhe organizatave rinore të rajonit, si dhe mbështetjes së pjesëmarrjes së të rinjve në procesin e vendimmarrjes.
– Krijimit të një platforme të përbashkët rajonale për të rinjtë për trajnimin shkencor dhe profesional në fushat e infrastrukturës së teknologjive të informacionit, turizmit, energjisë dhe bujqësisë, në përputhje me nevojat dhe prioritetet specifike kombëtare dhe rajonale.
-Promovimit të punësimit dhe sipërmarrjes së të rinjve duke paraqitur modele të praktikave të mira rajonale, si dhe inkurajimit të lëvizshmërisë për të fituar përvojë në punë/trajnim profesional dhe punësim.
– Krijimit të mekanizmave të përshtatshëm për zhvillimin e trajnimit profesional të të rinjve për t’ju përshtatur kërkesave dhe kritereve të tregut të punës.
– Krijimit të kontakteve me organizatat simotra në Europë, në mënyrë që të organizohen veprimtari të përbashkëta me kontribut për paqen, pajtimin, integrimin dhe progresin.
– Inkurajimit dhe mbështetjes së aktiviteteve kulturore rinore duke pasur në fokus traditat më të mira rajonale dhe në artet moderne, si elementë të rëndësishëm për të rinjtë dhe bashkëpunimin mes popujve.
-Organizimit të aktivitete të përbashkëta për përmirësimin e cilësisë së shëndetit midis të rinjve.
– Organizimit të aktivitete të përbashkëta rinore për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimit vullnetar të të rinjve në aktivitetet për të mirën e shoqërisë.
Merkel: Azil vetëm persona që vijnë nga Siria a vende të ngjashme ku lufta po u merr jetën
-Vende nga Ballkani që aspirojnë të jenë kandidate për në Bashkimin Europian, apo presin çeljen e negociatave për anëtarësim në BE (si Shqipëria), duhen ndihmuar në prizmin ekonomik, por jo në çështjen e azilit. Azil politik për njerëz që vijnë nga këto shtete nuk do të ketë. Azil do të përfitojnë vetëm persona që vijnë nga Siria a vende të ngjashme ku lufta po u merr jetën. Ky ishte mesazhi në mbyllje të Samitit të Vjenës, fjalë që u shprehën nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.
“Jemi të tronditur se rreth 50 persona humbën jetën në një situatë ku kriminelët që i morën përsipër nuk u kujdesen për këta emigrantë. Aty ku menduan se do ishin të sigurt, ata vdiqën. Ka nevojë për ta zgjidhur këtë problem, problemin e migrimit me anë të frymës dhe solidaritetit. Fatmirësisht në Europë nuk kemi luftë prej Luftës së Dytë Botërore, por e kemi detyrim historik për të mbështetur njerëzit që kanë nevojë për ndihmë dhe strehë, sidomos ata nga zonat e luftës dhe krizës. Të gjithë e dinë si është situata në Siri dhe është në dorën e Europës të ndërhyjë. Pra ta zgjidhim cështjen e migrimit me frymën e solidaritetit.
Vendet anëtare të BE janë të gatshme ta bëjnë këtë dhe do e diskutojë me urgjencë. Kemi folur për vende të Ballkanit Perëndimor duke pasur parasysh dhe sfidat që kanë. Ne si BE duhet t’ua lehtësojmë këtë barrë, dhe njerëzit që kërkojnë azil, dhe vendet që janë kandidate apo do të nisin negociatat, mund të shikojnë të drejtat e tyre të njeriut, duhet t’u japim një stimul ekonomik këtyre vendeve. Fatkeqësisht duhet t’u themi këtyre këtyre njerëzve që vijnë nga këto vende nuk kanë shanc të marrin azil se azilin do e fitojnë vetëm ata që vijnë nga vendet e luftës”, tha Merkel.
Vuçiç: Nga Evropa nuk duam vetëm mbështetje monetare por politike
Në mbyllje të samitit të Vjenës, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç është shprehur edhe njëherë për rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Vuçiç theksoi sërish se vendet tona nuk duan vetëm mbështetje monetare, por kërkojnë mbështetje politike dhe përkrahje.
“Është e rëndësishme të dëgjosh shqiptarët e serbët t’i drejtohen Europës për ta bindur për të përpjekjet e tyre në rrugën e integrimit. Ne shprehim ngushëllime për 50 viktimat që janë gjetur sot në një kamion në Austri.
Duke besuar se puna e përbashkët është e vetmja alternativë, them se është më rëndësi që të fokusohemi në procesin për të ndryshuar veten tonë.
Jemi të gatshëm të marrim barrën tonë për çështjen e emigrantëve në mënyrë serioze. Nuk e shohim BE si një bankomat por si një organizëm që ka shumë institucione që punojnë shumë dhe ndajnë vlera të rëndësishme. Ne nuk kërkojmë vetëm mbështetje monetare, por mbështetje politike. Ne do punojmë shumë më tepër. Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE. Edhe pse vijmë nga kombe të ndryshme, ndajmë pak a shumë të njëjtat vlera”, tha Vuçiç.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





