Transmetuar më 27-08-2015, 13:24

Tiranë, 27 gusht 2015, NOA.al- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ka bërë sot thirrje qytetarëve që të mos ndotin hapësirat publike, në mënyrë që të mos penalizohen nga paketa e shtatë masave ndëshkuese që u publikua dy ditë më parë.

Duke folur gjatë prezantimit të administratorëve të njësisë nr. 3, Ergesta Ninka, dhe njësisë nr. 4, Lirika Kasa, Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës është e vendosur për të zbatuar masat ndëshkuese për ata që ndotin, dëmtojnë apo zaptojnë hapësirat publike të kryeqytetit.

“Barra financiare për të jetuar në Tiranë është zero. Mjafton të mos presësh pemë, të mos hedhësh plehrat në rrugë, të mos vandalizosh, të mos vjedhësh pusetat, të mos përdorësh makineritë e tonazhit të rëndë me baltë nëpër rrugët e Tiranës, të mos ndërtosh pa leje dhe mos t’ua ngarkosh këtë faturë qytetarëve të tjerë”, deklaroi Veliaj.

Për të siguruar që administrata është prezente në komunitet në nivel kapilar dhe jo vetëm në qendër të qytetit, ai u ka kërkuar administratoreve të njësive që të raportojnë të gjitha rastet e ndotjes dhe shkeljes së këtyre masave.

“Sot qytetarët kanë një mijë kazanë ngjyrë portokalli, të cilët nuk bën dot sikur nuk i sheh. Gjithashtu, në pesë pika qendrore të Tiranës kemi vendosur tualete publike, për këdo që ka nevoja personale. Tani që kemi zhdukur çdo alibi është shumë e rëndësishme që të zbatohet ligji”, u shpreh Veliaj.

Sipas tij, lista e shtatë masave të bëra publike janë të bazuara në ligje dhe vendime të mëparshme, por s’janë zbatuar asnjëherë.

Bashkia Tiranë bën me dije se vetëm gjatë kësaj jave në njësinë nr.5, Policia Bashkiake ka vendosur 84 gjoba për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat, karriget, vazo lulesh, gardhe dekorative apo mjete të tjera të paligjshme, si dhe 43 gjoba të tjera për dëmtim dhe vandalizim të hapësirave publike.

Gjithashtu, edhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit ka vendosur 45 gjoba për zënie dhe bllokime të hapësirave publike, rrugë, trotuare, apo vendosje reklamash e postera në mënyrë të paligjshme.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se këto janë masa për të mbështetur 99% të njerëzve që duan higjienë, rregull dhe shtet.

Një tjetër nismë e suksesshme për kryetarin e Bashkisë së Tiranës është edhe adoptimi i 31 çerdheve. “Disa kompani po i ndërtojnë çerdhet nga fillimi sepse kanë qenë totalisht të rrënuara. Disa godina të tjera janë duke kryer suvatime, lyerje, blerje shtretërish, apo investime pak më të vogla, por në total kemi pasur një kontribut në natyrë që shkon deri në 2 milion dollarë si vlerë monetare”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ndërsa e cilësoi aksionin për lirimin e hapësirave publike në njësinë nr. 5 si të suksesshëm, kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se do të vijohet me një njësi nga fillimi në fund./a.y/noa.al

Veliaj publikon masat: 20 mijë lekë gjobë kush pështyn e urinon në rrugë

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd