Transmetuar më 26-08-2015, 20:04

Vjenë, 26 gusht 2015, NOA.al- Kryeministri Edi Rama i pranishëm në samitin e Vjenës për Ballkanin Perëndimor, deklaroi se Ballkani ka nevojë për një qasje strategjike nga Europa.

Në këtë takim i cili u zhvillua mbremjen e sotme, ku ishin të pranishëm liderët e Ballkanit Perëndimor, kreu i qeverisë shqiptare tha se të rinjtë nuk dëshirojnë që të presin deri sa të rregullohet situata.

“Ata shikojë çfarë ofrojnë Gjermania apo vende të tjera të BE. Vite më parë nëse do të takoheshim do të ishte historike, me Vuçiç jam takuar disa herë nuk përbën më histori. Takimet tona po kthehen në rutinë. Nesër nuk do të flitet për gjestet tona por për marrëveshjet. Ballkani ka nevojë për mbështetje nga Europa. Tani kemi nevojë për financime”, u shpreh Rama.

Ai tha më tej se në Shqipëri ka nisur reforma në sistemin e arsimimit, duke shtuar se vendi ynë ka qenë në një nga vendet më numrin më të madh të juristëve në botë për banorë, ose që merrnin diplomën duke pranuar dhe pa e ndjekur realisht shkollën.

Lidhur me azilkërkuesit, ai shtoi se nga Shqipëria vjen një numër i ulët i azilkërkesusve në krahasim me shtetet e tjera.

“Ne do të luajmë sipas rregullave, por nuk mund të vijojmë të jemi akoma të izoluar”, tha Rama.

Në vijim Rama shtoi se vendet e rajonit janë në një moment kur ose duhet të bashkohen të gjithë bashkë, ose s’do mund të bëjnë asgjë.

Në fjalën e tij Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se nuk ka tensione mes Shqipërisë dhe Serbisë.

“Vitin e kaluar u përballem me shumë përmbytje u përballem me konsolidimin fiskal. Besoj se ishim të parët në rajon që filluam me ndërprerjen e pensioneve pasi donim të kishim rimëkëmbje. Jemi përpjekur ta ulim papunësinë. Jam mirënjohjes ndaj zotit Rama, pasi është treguar mbështetës për të ulur tensionet. Nuk kemi pas tensione mes serbëve dhe shqiptarëve”, tha Vuçiç.

Samiti i Vjenës zhvillohet në vijim të Samitit të Berlinit të vitit të kaluar dhe synon veçanërisht avancimin e agjendës së ndërlidhjes infrastrukturore, rrugore dhe energjetike, midis vendeve të rajonit dhe BE-së, thellimin e bashkëpunimit për çështje që kanë të bëjnë me arsimimin, kualifikimin, punësimin dhe lëvizshmërinë e rinisë, trajtimin e problematikës në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe të sfidave me të cilat përballen bashkërisht vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të BE./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd