Transmetuar më 26-08-2015, 16:50

Vjenë, 26 gusht 2015, NOA.al- Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, kanë nënshkruar sot marrëveshje për bashkëpunim institucional në shkencë, hulumtim, arsim dhe në të gjitha fushat e artit.

Para nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Kurz priti në drekë zyrtare zv.kryeministrin Thaçi.

Thaçi e njoftoi homologun e tij austriak për arritjet e Kosovës në rrugëtim e saj drejt Bashkimit Evropian dhe kërkoi që ky progres të njihet nga BE-ja.

“Është qenësore që BE sa më parë të nënshkruajë MSA-në me Kosovën dhe të rekomandojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, u shpreh Thaçi, duke nënvizuar se edhe vetë autoritetet e BE-së tashmë e pranojnë që Kosova i përmbushur të gjithë kriteret edhe për MSA-në edhe për liberalizimin e vizave.

Thaçi falënderoi ministrin Kurz për mbështetjen e tij dhe të shtetit austriak dhënë Kosovës dhe e ftoi që Austria të vazhdojë të përkrahë Kosovën, me theks të veçantë në synimin për t’u anëtarësuar në UNESCO dhe Interpol.

Nga ana e tij ministri Kurz, e përgëzoi zëvendëskryeministrin Thaçi për lidershipin politik në procesin e dialogut dhe në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit në rajon dhe u zotua se vendi i tij mbetet një avokat i fuqishëm i Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd