Transmetuar më 26-08-2015, 15:41

Qeveria ju ka dhënë fund debateve për Kishën e Shën Thanasit në Dhërmi. Mbrëmë rreth orës 02:00 të natës forcat e INUK  e kanë shembur këtë objekt. Gjatë ditës së djeshme banorët e Dhërmiut janë mbledhur para Kishës për të mos lejuar prishjen e tij, ndërsa sfera të larta të politikës si vendase ashtu edhe ato greke u përfshinë në debate të forta, duke mos i kursyer akuzat ndaj njëri-tjetrit. Për të mos lejuar prishjen e kishës, Kryepeshkopi Anastas Janullatos zhvilloi dje një takim me ish-kryeministrin e Greqisë, Aleksis Tsipras.

Tsipas ka deklaruar se inkurajon punën e kryepeshkopit Anastas në Shqipëri, ndërsa kreu i Kishës Ortodokse është shprehur se njerëzit duan të “vërtetën, punën dhe dashurinë”

Dhima: Akt vandal i shtetit

Zëdhënësi i Kishës Ortodokse, Thoma Dhima është shprehur në Facebook se prishja është bërë gjatë natës për të shmangur përplasjet. Ai e quan akt vandal të shtetit. “Akti vandal i shtetit kundër Komunitetit Ortodoks. Duket qartë gënjeshtra se kishte mure të vjetra të kishës së parë. Shembën gjithçka! Tani e kanë radhën eshtrat e familjeve ortodokse të fshatit që të përdhosen, se gjoja do gjejnë eshtrat e një katoliku italian që kishte ardhur t’u kthente besën. Turp!”, shkruan Dhima.

Rama: Kisha në Dhërmi do të prishet për ta rindërtuar atë

Pjesë e debatit për prishjen ose jo të kishës është bërë edhe Kryeministri Edi Rama. Në profilin e tij në Twitter teksa ka publikuar edhe dy foto ku njëra tregon tregon kishën para prishjes dhe tjetra ndërtesën aktuale, Rama shkruan se “Kisha në Dhërmi do të prishet për ta rindërtuar atë, sikurse ka qenë para prishjes prej diktaturës”.

Kryeministri Rama fton qytetarët që ta kuptojnë ndryshimin, ku kishën aktuale e quan “Garazh pa leje”.

“Kisha e vjetër e Dhërmiut që do të rilindë në emër të trashëgimisë kombëtare dhe garazhi pa leje që e quajnë kishë”, shkruan Rama.

Ndërsa dy ditë më parë në konferencën online me qytetarët, Rama e konsideroi reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.

Kokëdhima: Qeveria është përgjegjëse për ta ringritur këtë kishë, këtë herë si muze

Ndërhyrja e INUK në Kishën e Dhërmiut, është komentuar edhe nga deputeti i zonës Koço Kokëdhima, i cili jo shumë larg qëndrimit të Kryeministrit, e quan Kishën thjesht një pllakë betoni në Himarë, që është ndërtuar brenda mureve historike të kishës së vjetër, dikur monument kulture.

Deputeti socialist hedh dritë mbi përpjekjet e klerikëve grekë të Kishës Ortodokse, për të goditur një nga figurat e rëndësishme të historisë së Shqipërisë, si Niko Katalani. Për Kokëdhimën, qeveria është përgjegjëse për ta ringritur këtë kishë, këtë herë si muze

Basha: Shembja me INUK e kishës, akt armiqësor i Edi Ramës  

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dënuar ashpërsisht dhunën e Edi Ramës ndaj objektit të kultit në Dhërmi. Në një deklaratë për mediat, Basha shprehet se, “në errësirë, pa transparencë, pabesisht, Edi Rama shembi me forcën e INUK atë që konsiderohet nga komuniteti i Dhërmiut si objekt kulti. Zgjidhja e pretendimeve duhej të vinte vetëm përmes bisedimit, përmes dëgjimit të banorëve dhe angazhimit bashkë me ta për të marre hapat e duhur me respekt të plotë ndaj vlerave dhe të vërtetave historike por edhe ndjeshmërive reale të banorëve dhe besimtarëve të Dhërmiut e të gjithë Shqipërisë”.

Ai shprehet se, shembja me INUK e kishës është një akt armiqësor i Edi Ramës, një shprehje e arrogancës e mënyrës së tij të qeverisjes që nuk merr në konsideratë qytetarët, nuk dëgjon zërin e tyre.

“Jo shumë larg nga aty Koço Kokedhima, deputeti i tij i privilegjuar, ka dëmtuar pasurinë kombëtare, bregdetin e të gjithë shqiptarëve me një ndërtim që ka shkelur 10 ligje e dy plane urbanistike, por ato saraje nuk prishen. Sepse në fakt, këto saraje, simbole të korrupsionit, abuzimit dhe të përfitimit nga pushteti, janë kulti i Edi Ramës, janë i vetmi besim i tij”, thotë kryedemokrati.

Prishja e Kishës, Dule: Të ndërhyjë Komuniteti Evropian

Pas prishjes së Kishës në Dhërmi i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i PBDNJ-së. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, kjo parti shprehet se, “vandalizmi qeveritar në Shën Athanas, Dhërmi, është dëshmia e radhës dhe më  domethënëse se në vendin tonë Kushtetutshmëria, shteti i së drejtës, dimensioni human dhe liria e besimit po i lënë  vendin gërdite edhe më tepër arbitraritetit, arrogancës, dhunës dhe hipokrizisë. E kapur nga interesa klienteliste, qeveria që dështoi të ndërtojë për qytetarët shkolla dhe spitale, po i shkatërron atij objektet e kultit dhe i dhunon jetën shpirtërore”.

Sipas PBDNJ-së, në këto kushte bëhet imediate nevoja e ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar për të vënë në mbrojtje vlerat tona shpirtërore nën kërcënim dhe garantuar  respektimin e lirisë së besimit në veçanti dhe të drejtat e njeriut dhe minoriteteve në përgjithësi”.

Banorët bëjnë rezistencë

Rreth 50 banorë të Dhërmiut, tashmë pjesë administrative e Himarës qëndruan për orë të tëra në ambientet e objektit që shërben si kishë për fshatin, duke dalë në mbrojtje të saj.

Banorët kanë paralajmëruar se nuk do të lejojë INUK që të prishë e kishën e  “Shën Athanasit”, pasi atë e kanë ndërtuar vetë në rrënojat e kishës së vjetër të shëmbur në vitin 1973.

Prifti: Kjo është kapriço e kryebashkiakut të Himarës

Ndërkohë prifti ortodoks Thimio Bixhilli e cilësoi kaprico të kryebashkiakut  të Himarës njoftimin për prishjen e kishës. Ai shton se Goro duhet ti marrë leje kishës autoqefale për prishjen e kishës së “Shën Athanasit”.

Nën rrënojat e kishës, në vitin 1694 është varrosur Niko Katalani, murgu bazilian që u vesh në manastirin e famshëm të Grotaferrates në Romë.  Ai u varros brenda Sancta Sanctorum./e.gjura/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd