
Tiranë, 26 gusht 2015, NOA.al- Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka shpallur procedurën konkuruese për ndërtimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe operimin e Zonës Teknologjike dhe Zhvillimit Ekonomik, në Spitallë, Durrës.
Njoftimi për shpalljen e procedurës konkuruese është publikuar në numrin e sotëm të gazetës “Financial Times” dhe do të publikohet edhe për dy numra të tjerë radhazi, përkatësisht në numrat e datave 27 dhe 28 gusht 2015.
Fillimisht njoftimi është publikuar në Buletinin nr. 33, datë 24.8.2015, të Agjencisë së Prokurimit Publik dhe në Buletinin nr. 13, datë 24.8.2015, të Qendrës së Botimeve Zyrtare.
Kohëzgjatja e kontratës ose termat e ekzekutimit në vite do të jenë 99 vjet.
Në shpallje saktësohet se, Ofertuesi duhet të paraqesë Formularin e Sigurimit të Ofertës dhe Vlera e kërkuar e Sigurimit të Ofertës është 15,000,000 Lekë (pesëmbëdhjetë milion).
Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje është deri në datën 28 Tetor 2015, ora 10:00.
Ofertat do hapen në të njëjtën ditë, në ambientet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Salla e Mbledhjeve, kati i katërt.
Periudha e vlefshmërisë së ofertave është 150 (njëqindepesëdhjetë) ditë.
Përsa i përket kritereve të përzgjedhjes së fituesit, vlerësimi do të bëhet me pikë, 100 në total, ku: me 20 pikë do të vlerësohet Propozimi teknik për ndërtimin e zonës; 6 pikë do të vlerësohet Ndikimi mjedisor; 16 pikë do të vlerësohet Ndikimi social; 8 pikë do të vlerësohet Koha e përfundimit të investimit dhe 50 pikë do të vlerësohet Kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit).
Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik Spitallë, Durrës ndodhet në veri të Qytetit të Durrësit. Sipërfaqja prej 501.9 ha i përket Zonës Kadastrale Nr. 8517 Durres. Kjo zonë është shpallur me VKM-në Nr. 666, datë 29.07.2015 “Shpalljen e Zonës sё Teknologjisё dhe Zhvillimit Ekonomik në Spitallë, Durrës”.
Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik shtrihet në afërsi me Portin e Durrësit, më të madhin dhe më të rëndësishmin në Shqipëri, pranë qytetit të dytë për nga zhvillimi ekonomik në Shqipëri, Durrësit, vetëm 30 km larg Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 37 km nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. /e.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





