Transmetuar më 25-08-2015, 15:28

Tiranë, 25 gusht 2015, NOA.al- Presidenti  Bujar Nishani priti sot në një takim lamtumire të Ngarkuarin me Punë të Suedisë në Shqipëri, z. Patrik Svensson.  Pasi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, Kreu i Shtetit nënvizoi mbështetjen e Suedisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Suedia, u shpreh Presidenti i Republikës, është simbol i demokracisë dhe zhvillimit ekonomik dhe vendi ynë e sheh me përparësi vijimin e forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë dhe turizmin.

I Ngarkuari me Punë i Suedisë z. Patrik Svensson i shprehu Kreut të Shtetit vlerësimin për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve duke theksuar se Suedia do të vazhdojë mbështetjen e saj si ndaj procesit të integrimit evropian, por dhe në funksion të përmirësimit të klimës ekonomike dhe zhvillimit të Shqipërisë.

Më tej, Presidenti  Nishani duke vlerësuar aktivitetin e z. Svensson për fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe, i uroi suksese të mëtejshme në veprimtarinë e tij diplomatike. /e.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd