
Hamdi Salihi është zyrtarisht kandidati më potencial, për t’u bashkuar me Maccabi Haifan. Është portali sportiv izraelit Sport5.co.il ai që e jep lajmin. Performanca e shkëlqyer e sulmuesit të Kombëtares shqiptare me Skënderbeun në eliminatoret e Champions League– 5 gola në 5 ndeshje – i ka bindur drejtuesit të Maccabi Haifa të vendosë për shkodranin, duke i ofruar një shumë të kënaqshme.
“Hamdi Salihi, i cili luajti me kampionët e Shqipërisë, është shndërruar në opsionin më të preferuar për “ha’jerakim” (jeshilët), për të forcuar sulmin. Ai do të jetë shumë shpejt tek ekipi i tij i ri(Maccabi Haifa)”.
Ky do të jetë sezoni i tretë i Salihit në Izrael. Sulmuesi i Kombëtares firmosi fillimisht me Hapoel Akre me të cilën luajti pjesën e dytë të sezonit 2013-2014 (6 gola) dhe pjesën e parë të sezonit 2014-2015 (8 gola).
Më pas u transferua te Hapoel Haifa (4 gola), për pjesën e dytë të sezonit 2014-2015 dhe me golat e tij e ndihmoi skuadrën të mbijetonte në Liga Ha’al. Hamdi Salihi ka veshur fanellën e nëntë klubeve, dy prej tyre në Shqipëri, Vllazninë dhe Tiranën, si dhe shtatë jashtë vendit: Panionos (Greqi); Sv Ried dhe Rapid Wienna (57 gola), të dyja këto në Austri. Ai ka luajtur gjithashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me D.C. United në SHBA, Jiangsu Sainty në Kinë, si dhe në Izrael. /e.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





