
Tiranë, 24 gusht 2015, NOA.al- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Salzburg, me ftesë të Guvernatorit të Landit, Wilfried Haslauer.
Në takim, palët diskutuan mundësitë e investimit në Shqipëri të bizneseve të Landit. Ministri ftoi për investime në fusha me interes si turizmi apo Zonat e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik. Duke bërë një prezantim të projektit të zonës ekonomike të Spitallës, Ministri Ahmetaj sqaroi të gjitha lehtësitë dhe iniciativat fiskale që do të ofrohen për investitorët që do të zhvillojnë zonën por edhe për sipërmarrjet që do të ushtrojnë aktivitetit brenda saj.
Guvernatori Haslauer u shpreh tejet entuziast për projektin e zonave ekonomike në Shqipëri dhe shprehu gatishmërinë për të inkurajuar bizneset e Landit të Salzburgut ta shfrytëzojnë ketë oportunitet investimi.
Palët diskutuan gjithashtu mundësitë e bashkëpunimit në fushën e turizmit, për të cilën Ministri Ahmetaj u shpreh se ka ende shumë hapësirë për investime. Ministri u ndal tek ligji i ri për turizmin, për të cilin shprehu bindjen se do të krijojë kuadrin e duhur për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të turizmit. Një tjetër çështje me rëndësi ishte ajo e bashkëpunimit në fushën e trajnimit profesional dhe sistemeve duale për të cilat Austria ofron një model tejet të suksesshëm referimi. Të pranishëm në takim ishin edhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Presidentja e Parlamentit të Landit të Salzburgut.
Më herët, gjatë paradites, Ministri Ahmetaj zhvilloi një vizitë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Salzburgut, i ftuar nga Presidenti Raimund Ribitsch. Pasi u njoh me programet që ofrohen dhe mundësitë e shumta për studentët, Ministri Ahmetaj dhe z. Ribitsch diskutuan për një platformë konkrete bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe trajnimit profesional si pjesë e një projekti të përbashkët në të cilin do të angazhohet Agjencia Austriake e Zhvillimit (ADA) dhe Dhomat e Tregtisë e Shoqatat e Turizmit në Shqipëri.
“Ne dëshirojmë të ndërtojmë një shkollë të tillë turizmi dhe, me sa pashë, trajnimi profesional është në ADN tuaj, ju përfaqësoni një model shumë të mirë qoftë sa i përket njohurive, kurrikulave apo strukturave organizative. Ky është një nga elementët në të cilët do të doja të fokusoheshim. Unë besoj që, në kuadër të shkëmbimit të informacioneve, ne mund të fillojmë punën menjëherë. T’ju furnizojmë me të gjithë detajet e nevojshme dhe të biem dakord për kornizën e bashkëpunimit. Pastaj, në fillim të janarit, kur qeveria juaj të disbursojë fondet për ADA (Agjencia Austriake e Zhvillimit), ne mund ta kalojmë bashkëpunimin tonë në një kuadër zyrtar, me objektiva dhe afate kohore të mirë-menduara.
Kjo do të na ndihmonte, pasi deri atëherë do të kemi identifikuar “operatorin” që do t’i ofrojë këto programe trajnimi, pra nëse do të jetë universiteti publik apo një shkollë private, për të cilën patjetër, do të duhet edhe bashkëpunimi me Dhomat e Tregtisë dhe Shoqatat e Turizmit në Shqipëri.
Shtylla e dytë e bashkëpunimit është përmes programeve të trajnimit për manaxherët dhe stafet e shërbimit në Hotele, përgjatë periudhës para fillimit të sezonit turistik. Ju mund të dërgoni profesorët dhe stafin tuaj të trajnimit atje dhe së bashku mund të mendojmë për organizimin e kurseve të trajnimit dhe mënyrën e financimit.
Shtylla e tretë është shkëmbimi i studentëve. Ju me të drejtë thatë që nuk keni studentë nga Shqipëria. Ne mund të fillojmë duke ofruar programe internshipi në Shkollën tuaj për një numër studentësh shqiptarë të interesuar për turizmin.
Së fundi, sfida për Shqipërinë mbetet cilësia dhe shërbimi. Turizmi ka marrë një zhvillim të rëndësishëm, një sërë investimesh të mëdha po bëhen në këtë sektor. Vetëm para pak ditësh ne përuruam një resort me standarde europiane në jug të Shqipërisë, por cilësia dhe standardi i investimit duhet të përputhen tërësisht me atë të shërbimit dhe, në këtë aspekt, modeli dhe eksperienca juaj janë shumë të vlefshme për ne”, – tha ministri Ahmetaj.
Trajnimi profesional në fushën e turizmit është një projekt për të cilin Agjencia Austriake e Investimit ka shprehur interes të drejtpërdrejtë në Shqipëri. Në vizitën e tij zyrtare në Salzburg, Ministri Ahmetaj shoqërohet edhe nga ambasadori Austriak në Tiranë, Thomas Schnoll dhe ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





