Transmetuar më 23-08-2015, 21:10

Një mister i pazakontë ka përfshirë qytezën e San Antonio, në Texas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku prej më se një jave trupi i 26 vjeçares Julie Moot, e cila humbi jetën pas komplikimeve nga fibroza cistike, u zhduk.

Trupi i saj është vjedhur dhe asnjë telekamerë nuk ka fiksuar ata që mund të kenë marrë kufomën të shtunën e kaluar, pas funeralit të vajzës.

Në 15 gusht Julie duhet të mbushte 26 vjeçe, por sëmundja e mori para kohe, pasi ajo humbi jetën në 9 gusht, pasi luftoi për thuajse dy vjet me sëmundjen e cila e detyroi të qëndronte e shtrirë sa në spital dhe në shtëpi.

Kështu pas vdekjes së saj, prindërit vendosën që ta përcillnin për në banesën e fundit në ditën e ditëlindjes së saj, ku miq dhe të afërm u mblodhën në Mission Park North Funeral Chapel të San Antonio, për t’i dhënë përshëndetjen e fundit.

Pas funeralit kufoma e Julie qëndroi në pritje për t’u djegur, veprim që do të bëhej të hënën. Por në momentin që do merrej arkivoli, u zbulua se trupi nuk ishte brenda tij. Nga hetimet e policisë dyshohet se gjithçka ka ndodhur brenda tre orësh pas përfunimit të funeralit dhe mbylljes së kishës.

Në vendin e ngjarjes nuk u gjetën shenja dhe telekamerat nuk zbuluan ndonjë të dhënë që mund të ndihmonte hetimet.

“Kushdo që e ka bërë duhet të ketë qenë shumë i guximshëm. Prioriteti ynë është që t’i kthejmë trupin familjes, të zbulojmë autorin dhe ta vendosim para drejtësisë. Në 22 vite të karrierës time nuk kam parë diçka të tillë”, tha Javier Salazar, i policisë së San Antonio.

Tim Mott, babai i Julie, bëri një apel për familjen e tij duke ofruar 20 mijë dollarë shpërblim për këdo që mund të ndihmojë për gjetjen e trupit./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd