
Tiranë, 23 gusht 2015, NOA.al- Mbledhja e fundit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për sezonin e kaluar të punës, e zhvilluar më 16 korrik, ka kulmuar me përplasje të forta mes anëtarëve për shkak të mosemërimit të zv.kryetarit të Këshillit.
Ky pozicion në KLD ka mbetur vakant që pas shkarkimit nga Kuvendi të ish-zv.nënkryetarit Elvis Cefa në tetor të vitit të kaluar. Duke pretenduar moseficiencë të Këshillit, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i ka kërkuar disa herë me këmbëngulje kryetarit të KLD-së, Presidentit të Republikës Bujar Nishani, të propozojë zëvendëskryetarin. Pretendimet e Naços kanë hasur në reagimin e fortë të anëtarit Artan Broci. Ai është shprehur se është pikërisht maxhoranca, pjesë e së cilës është edhe ministri i Drejtësisë, që ndryshoi legjislacionin, që ka krijuar situatën aktuale në KLD. Broci shkoi dhe më tej duke pohuar se pjesë e nismëtarëve të ndryshimit të ligjit për KLD-në kishte qenë edhe deputeti Mark Frroku, aktualisht i akuzuar për akuzën e “vrasjes”.
Gazeta “Panorama” publikon sot procesverbalin e kësaj mbledhjeje, ku zbardhen debatet e ashpra mes ministrit Naço dhe anëtarit Broci dhe më tej debatet mes anëtarit Gjin Gjoni me ministrin Naço dhe anëtarin Çomo. Debatet janë shkaktuar gjatë kohës që Këshilli po shqyrtonte disa shqetësime të ngritura nga disa kryetarë gjykate lidhur me mungesën e organikës së tyre me gjyqtarë apo dhe nevoja për shtimin e numrit të gjyqtarëve.
DEBATI BROCI-NAÇO
Nasip Naço: Unë gjej rastin edhe një herë t’i kërkoj kryetarittarit të Këshilli të Lartë të Drejtësisë që të propozojë zëvendëskryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sepse ky Këshill ka mungesë të theksuar eficience. Ligji ka parashikuar që të jetë një person me kohë të plotë, që të organizojë të gjithë punën dhe ky Këshill të kalojë në normalitet. Pra, nëse doni raste të kësaj natyre, do t’ju gjej me dhjetëra për mungesë eficience të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Të kemi një studim. Mbi bazën e atij të gjykojmë, do shtojmë, do pakësojmë. Për shembull, në Berat janë 10 gjyqtarë, në mos gaboj. Mbase duhen 7 dhe t’i shtojmë edhe në Skrapar – po u desh, për shkak të numrit të popullsisë, të çështjeve – por, s’para vjedhin në Skrapar dhe nuk ka nevojë për gjykatë dhe ato dytri raste venë në Bërat. Kështu që janë të pakta rastet. Të shikohen edhe statistikat në vite, nuk ka nevojë për gjykatë atje, se janë njerëzit të gatuar duke zbatuar dhe respektuar ligjin. Thashë, nuk vjedhin në Skrapar. Po të shikosh, po të shikosh statistikat në 50 vjet, mund të jenë nja 10. Duke i krahasuar me të tjerët, domethënë hajduti më i madh në Skrapar sa më i ndershmi në ndonjë vend tjetër.
Bujar Nishani: Fokusohemi te rendi i ditës.
Nasip Naço: Do të doja edhe një herë të përsërisja që të dalim nga ky qerthull ku të gjithë flasin e të gjithë diskutojnë. E tha mirë Sokoli, “360 gradë”. Kemi një pikë në rendin e ditës. U bë një propozim. Të ngrihet një grup pune. Të kemi një studim dhe të gjykojmë mbi atë studim që të vendosim se si do të ecet me numrin e gjyqtarëve dhe me gjykata të veçanta. Po të shikojmë këtë, e përmendi Iliri, që ka që nga 2009–a që vendimi ka marrë formë të prerë në Apel dhe as hyn në punë dhe as largohet e as gjykohet në Gjykatën e Lartë. Kemi listën e gati 9 ndihmësve ligjorë, që janë gjyqtarë dhe janë në Gjykatën e Lartë. U kam bërë një propozim, që vendet e tyre, për 1 vit të emërojmë magjistratët e të dalim dhe nga ky qerthull i magjistratëve, se po vijnë dhe 20 të tjerë, e ky Këshill prapë tregon mungesë të theksuar efiçence, sepse nuk do që t’i vë. Pra, të dalim nga ky qerthull. Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zbatojë ligjit, të propozojë zëvendëskryetarin, të marrë kompetencat, të vërë në eficiencë Këshillin e Lartë të Drejtësisë që materialet të jenë të plota, të jenë të studiuara dhe të vazhdojmë që t’i japim atë fuqi që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë, atë eficiencë që duhet të ketë, sepse ky është modeli që ndjekin dhe kryetarët e gjykatave dhe gjykatat e tjera, duke parë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Nëse këtu nuk ka eficiencë, mos prisni të ketë nga gjykatat e tjera.
Bujar Nishani: Tjetër diskutim?
Artan Broci: Jo për replikë, por disa herë po ngrihet çështja e mirëfunksionimit të Këshillit dhe pa dashur të dal nga rendi i ditës… Nuk është mirë që përgjegjësitë e të tjerëve t’i shesin te Këshilli apo përgjegjësitë e tyre. Në qoftë se duhet t’i kthehemi pak, jo shumë larg kujtesës, është pikërisht maxhoranca ajo që krijoi këtë situatë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Përfaqësuesin e kësaj maxhorance ne e kemi anëtar të Këshillit. Është ministri i Drejtësisë. Ndërmori iniciativë me kriminelë të akuzuar për vrasje, të cilët janë në kafaz sot, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë të arrestuar për vrasje të kryera jashtë shtetit, pikërisht për të ndryshuar legjislacionin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës. Shihni pak relacionet që keni në Parlament, kush janë iniciatorët e ndryshimeve ligjore të ligjit “Për KLDnë” dhe të ligjit “Për Shkollën e Magjistraturës”? Të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe t’i rikthehemi normalitetit dhe hajde të diskutojmë pastaj eficiencën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Të krijojmë pasoja dhe të shesim te të huajt që fajin e ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk më duket as serioze dhe as e moralshme. Je ministër Drejtësie dhe je burrë shteti. Nuk të takon të shesësh institucionin tënd, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, dhe t’i japësh fatura këtij Këshilli për pasojat dhe veprimet që bëjnë disa banditë, po të them përsëri, të veshur me petkun e politikanit, që i ke deputetë.
Bujar Nishani: Zoti ministër! Pastaj, zoti Gjoni!
Nasip Naço: Faleminderit! Një kujtesë për parafolësin. Për sa kohë ka një akuzë dhe pandehet, nuk besoj që do të ketë etiketime. Është anëtar i Gjykatës së Lartë. Unë personalisht nuk do ta bëja asnjëherë. (Zoti Broci flet pa ndezur mikrofonin.) Po mirë, më pandehet. Po të lexosh nenin 34 të Kodit të Procedurës, kupton, ai pandehet deri në dhënien e një vendimi. Kaq. Për kujtesë. Se është edhe për procesverbal. Është e drejta juaj, mund të thoni çfarë të doni. Po duke qenë se jeni anëtar i Gjykatës së Lartë, unë mendoj që në termin e përdorur. (Zoti Broci flet pa ndezur mikrofonin.)
Bujar Nishani: Zoti Broci! Zoti Broci, të lutem!
Artan Broci: Kërkoja shefit tënd atë prezumimin e pafajësisë, se i quan gjyqtarët banditë.
Bujar Nishani: Zoti Broci, të lutem! (Zoti Broci flet pa ndezur mikrofonin)
Artan Broci: Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë. Kjo është e turpshme. Banditët i ke aty brenda. Deputetë të akuzuar për vrasje.
Nasip Naço: Po përmendi edhe emrin. (Zoti Broci flet pa ndezur mikrofonin.)
Artan Broci: Mark Frroku, zotëri. S’ta kam arrestuar unë. Dhe e ke iniciatorin e ligjit “Për KLD-në”, për ndryshimin e ligjit “Për KLD-në”. S’kam frikë unë të përmend emra.
Nasip Naço: Po jo mo, jo, ka një prezumim pafajësie. Unë për ta kujtuar. Për shkak të procesverbalit. Është puna jote. Vëri edhe emrin e gjyshit. /e.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





