Transmetuar më 22-08-2015, 22:32

Tiranë, 22 gusht 2015, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar menjëherë pas deklaratës s ëbërë nga kryeministri Rama, se lufta e përbashkët me informalitetin do të na japë mundësinë të rrisim rrogat dhe të ulim taksat.

Nëpërmjet rrjetit social  Facebook, kryetari i opozitës shprehet se, “Kryepërgjegjësi për vjedhjen e 160 milionë dollarëve nga tatimet dhe doganat sapo deklaroi se numri i pajisjeve fiskale qenka rritur me plot 25 mijë gjatë qeverisjes së tij.

Pra numri i kasave qenka rritur. Taksat u rriten. Tarifat u rriten. Akcizat u rriten. Faturat e energjisë u rriten. Çmimi i naftës në qiell. Atëherë ku janë paratë që i mungojnë buxhetit?

Dridhen e përdridhen me lloj-lloj përrallash, por e vërteta është se miliona dollarë që i mungojnë arkës së shtetit kanë përfunduar në xhepat e qeveritarëve. Vjedhin taksat e qytetarëve dhe u tregojnë burgun atyre që luftojnë për bukën e gojës. Kjo është e vërteta e tmerrshme që nuk mbulohet dot me shoshën e propagandës bajate”. /e.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd