
Tiranë, 22 gusht 2015, NOA.al- Pas dhunimit të mjekut në Spitalin e Durrësit, ka ardhur menjëherë edhe reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, Ministria e Shëndetësisë dënon me forcë aktin e dhunës së ushtruar sot ndaj mjekut të urgjencës së spitalit të Durrësit dhe inkurajon organet kompetente për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes.
“Ministria e Shëndetësisë gjen rastin për të përsëritur thirrjen e saj drejtuar të gjithë qytetarëve që hasin vështirësi në marrjen e shërbimit apo përballen me kërkesa për pagesa nën dorë, të denoncojnë menjëherë rastin pranë Ministrisë së Shëndetësisë në adresën e postës elektronike: [email protected]; si dhe në faqen online të nismës antikorrupsion të Qeverisë Shqiptare: http://www.stopkorrupsionit.al/shendetesia”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Sipas saj, “dhuna e ushtruar ndaj bluzave të bardha në krye të detyrës është dhe mbetet një akt i shëmtuar, prandaj Ministria e Shëndetësisë është e vendosur të inkurajojë organet kompetente që të vendosin drejtësi, si dhe u bën thirrje qytetarëve të respektojnë figurën e personelit në detyrë dhe të denoncojnë çdo rast abuziv”.
Vetëm kështu, thuhet në njoftim, mund të përmirësojmë cilësinë e shërbimit në spitalet tona dhe të jemi më afër arritjes së sistemit të kujdesit shëndetësor që duam. /e.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





