Transmetuar më 22-08-2015, 20:07

Tiranë, 22 gusht 2015, NOA.al- Policia jep detaje për motivacionin e pezullimit nga detyra të shefit të Komisariatit Kavaje.

Në njoftimin e policisë thuhet se, “Komisar Arbëresh Vokshi, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kavajë,  DPQ  Tiranë, ka kryer shkelje të parashikuar neni 11, pika 12, “Shkelje ose mos ushtrimi i kompetencave të policisë”, dhe pika 10, “Përdorimi i detyrës si punonjës Policie për interesa private” parashikuar nga Ligji Nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, Neni 96, pika 1, germa “b”.

Sipas policisë, Komisar Arbëresh Vokshi me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kavajë, DPQ Tiranë ka penguar kryerjen e veprimeve hetimore për veprën penale të “Ndërtimit të Paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.

Këtë çështje SHÇBA-ja e ka në hetim, bazuar në ankesën e një pronari të ndërtimit të paligjshëm, ku pretendohet se punonjësi i policisë Komisar Arbëresh Vokshi i ka marrë 2000 Euro në favorizim të ndërtimit të paligjshëm të një banese.

Gjithashtu, nuk ka dhënë informacion në lidhje me  kultivimin e bimëve narkotike në fshatin Zambishë dhe fshatin Çekë të Rrogozhinës, ku me datën 21.08.2015 janë zbuluar e asgjësuar bimë narkotike të llojit “Cannabis Sattiva”, në total rezultuan të ishin 7090 bimë narkotike të llojit “Cannabis Sattiva”, si dhe 12 thasë të mbushur me 100 kg “mariuanë” e presuar.

Bazuar mbi këto shkelje të përsëritura gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e Shefit të Komisariatit, pas hetimit disiplinor të kryer nga ana e Drejtorisë së Standarteve Profesionale ne Drejtorinë e Policisë së Shtetit, Drejtori i Policisë së Shtetit, me vendimi te datës 19.08.2015 ka bërë pezullimin paraprak nga detyra të këtij punonjësi policie për ti hapur rrugë një hetimi sa më të plotë e të paanshëm ndaj këtij punonjësi policie. /e.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd