Transmetuar më 22-08-2015, 14:59

Nuk ishte diçka e lehtë por Giorgia Lanuzza ia doli. 24 vjeçarja e cila e ka trupin të mbuluar në masën 97% nga psoriaza, ka arritur që të tregojë trupin me bikini dhe ta pranojë veten siç është.

Vajza angleze me origjinë italiane, nisi të vuante nga psoriaza në moshën 13 vjeçare dhe që nga ai moment ka tentuar gjithmonë që të mbulojë shenjat e saj.

“Njerëzit më shikonin me neveri dhe pështirosje si të isha e infektuar. Ndalonin dhe më fiksonin në rrugë. Sëmundja po më shkatërronte jetën”, thotë e reja.

Për këtë sëmundje nuk ekziston një kurë, madje ajo agravohet në periudha stresi të madh dhe me të nxehtin.

Gjatë pushimeve disa mujore në Tajlandë, Giorgia u detyrua të kthehej në Angli pasi kishte probleme me të nxehtin i cili shtonte njollat në trupin e saj.

Në këtë moment ajo mori një vendim të rëndësishëm, të mos ndjehej më skllave e lëkurës. Ajo realizoi një album fotografik ku tregonte me krenari shenjat në trupin e saj, duke ftuar të gjithë femrat me probleme si i saji që të tregojnë veten.

“Dua t’ju them të gjitha femrave se anomalia e tyre mund të kthehet në një pikë force”, shprehet 24 vjeçarja.

Ajo tregon se në moshën 13 vjeçare i ati u nda nga jeta dhe në atë moment mendoi se bota mori fund, por pak më vonë nisën të shfaqeshin njollat, që fillimisht shkaktonin kruarje.

Giorgia rrëfen se në adoleshencë e tallnin gjithmonë, por shprehet se me kalimin e kohës kuptoi se edhe kështu është e bukur.

Shënim: Psoriaza është një sëmundje kronike e lëkurës. Simptoma është, të paraqiturit e njollave të kuqe, të mbuluara me lëkurë të bardhë të lëvoruar. Këto njolla mund të paraqiten në lëkurë, por më shpesh në bërryla dhe gjunjë, trup dhe rrënjë të flokëve. Psoriaza mund të duket si puçrra të vogla dhe lëkurë shumë të skuqur, si nën sjetull, ije dhe organet gjenitale. Por, edhe duart, këmbët si the thonjët mund të sulmohen. Shkencëtarët mendojnë se psoriasia është një sëmundje autoimune, ku sistemi i imunitetit shkakton inflamacion të lëkurës, e shpeshëherë edhe të gjymtyrve. Shkaku i psoriazës nuk dihet, por besohet të ketë një komponent gjenetik./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd