








Tiranë, 22 gusht 2015, NOA.al- Aksioni i Bashkisë së Tiranës për lirimin e hapësirave publike është përqendruar ditën e sotme kryesisht në zonën e ish- Bllokut në njësinë administrative numër 5.
Efektivët e Policisë Bashkiake të shoqëruara edhe nga ato të INUV dhe Policisë së Shtetit, kanë ndërhyrë përgjatë rrugëve “Sami Frashëri” dhe “Ibrahim Rrugova” ku kanë larguar pengesat dhe objektet që janë vendosur në mënyrë të paligjshme, si dhe kanë konfiskuar tavolinat e karriget e atyre lokaleve që nuk i ishin bindur thirrjes së Bashkisë së Tiranës për t’i larguar vetë nga trotuaret.
Në vëmendje të Policisë Bashkiake ka qenë edhe lirimi i hapësirave të zëna forcërisht dhe që përdoreshin si parkingje.
Bashkia e Tiranës bën me dije se pjesa më e madhe e bizneseve dhe lokaleve në këtë zonë kanë qenë bashkëpunuese në këtë aksion dhe i kanë liruar vetë trotuaret e zëna më parë.
Ndërkohë që aksioni ka vijuar dhe në lagje të tjera të njësisë 5, ku po punohet paralelisht edhe për pastrimin e mbetjeve të krijuara, si dhe për kthimin e hapësirave në normalitet./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





