
Tiranë, 22 gusht 2015, NOA.al- Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, ishte sot në Zall-Herr ku prezantoi administratorin e ri, Arben Maloku.
Me këtë rast ai nënvizoi rëndësinë e promovimit të produkteve bujqësore vendase, si një mënyrë për t’i dhënë më shumë vëmendje kësaj zone të re të Tiranës.
“Në kushtet e zhvillimit ku ndodhemi sot, bujqësia dhe blegtoria janë shumë të kërkuara, ndaj përmes promovimit më të mirë të zonës, Zall-Herri nuk duhet të konsiderohet më si një zonë e largët, por pjesë e Tiranës dhe një lagje e re e saj”, deklaroi Seferi.
Ai nënvizoi se afrimi i kësaj njësie me qendrën e Tiranës do të ndodhë edhe përmes zhvillimit të infrastrukturës, duke sjellë kështu rritjen e interesit të investitorëve.
“Produktet e zonës do të dalin në pah përmes festave lokale, të cilat do të kthehen në një traditë promovimi produktesh bujqësore. Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se Zall-Herri është një nga furnizuesit më të rëndësishëm dhe të sigurt për produkte si ulliri, vaji, mjalti apo qumështi”, tha Seferi.
Sipas tij, Bashkia e Tiranës është e përkushtuar për ta kthyer Zall-Herrin, por edhe zonat e tjera periferike të kryeqytetit, në vende ku promovohen produktet shqiptare.
Një tjetër fokus i Bashkisë së Tiranës për këtë njësi administrative do të jetë edhe ofrimi i të njëjtave shërbime si në çdo njësi tjetër të Tiranës.
Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, i cili kërkoi nga administratori i njësisë që të ndërmarrë të njëjtat aksione si në njësitë e tjera të Tiranës.
“Gjithçka që shihni se po ndodh në Tiranë, me aksionin e pastrimit të qytetit, me rikthimin e hapësirave publike për qytetarët, me mbrojtjen ndaj ndotjes së mjedisit, duhet që edhe ju të ecni me të njëjtin ritëm”, deklaroi Dalipi.
Duke prekur çështjet e investimit në infrastrukturë, kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës tha se në buxhetin e ri do të parashikohet ndërtimi i disa rrugëve, ndërsa komuniteti do të përcaktojë prioritetet.
Ai bëri me dije propozimet konkrete duke u konsultuar me komunitetin do të jetë në dorën e njësisë administrative.
“Bashkia e Tiranës do të ashpërsojë masat për individët që abuzojnë me hapësirat publike, që ndotin ambientin, apo pasuritë që keni rreth e rrotull”, tha Dalipi.
Më tej kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës Aldrin Dalipi ftoi banorët e Zall-Herrit që t’i bashkohen aksionit për pastrimin e Tiranës më 4 shtator./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





