Transmetuar më 21-08-2015, 20:06

Tiranë, 21 gusht 2015, NOA.al- Deputeti demokrat Eduard Halimi thotë se reforma në drejtësi është jetike për vendin dhe të ardhmen europiane, ndërsa fton mazhorancën për sinqeritet.

Sipas tij, vetëm një proces transparent, gjithpërfshirës, bazuar në eksprtizën ndërkombëtare dhe i sinqertë mund të prodhojë një reformë cilësore.

Deputeti Halimi thotë se duhet një reformë me një strategji tërësore, jo të fragmetuar, të plotë dhe vizionare, jo për tre muaj por afatgjatë siç kërkohet nga BE.

Vetëm kështu mund të arrihet qëllimi për të larguar gjyqtarët e prokurorët e paaftë, të korruptuar, të përulur para pushtetit e të kapur politikisht, shprehet ai, duke shtuar se vetëm kështu mund të garantohet një sistem drejtësie i fuqishëm dhe plotësisht i pavarur në interes të qytetarëve.

“Që të mbrojë qytetarët që nuk kanë të paguajnë dhe mos lirojë baronët e drogës që lëvizin me makinat e deputetëve miq të Kryeministrit, të mbrojë fjalën e lirë dhe të dënojë agresorët edhe kur janë deputetë miq të Kryeministrit. Dhe për ta bërë këtë në procesin e reformës para së gjithash e mbi të gjitha qytetarët dhe aktorët e drejtësisë presin sinqeritet dhe jo hipokrizi”, deklaron Halimi, i cili nënvizon se sinqeriteti e ndihmon procesin dhe askush nuk duhet të ndihet i intimiduar tij.

Ai shprehet se politikanët duhet të jenë të vërtetë me shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa deklaron se Presidenti i Republikës tha të vërtetën për ekspertët vendas, pasi të gjithë e dinë sipas tij, se ata kanë qenë funksionarë politikë të kohës së komunizmit dhe qeverive socialiste, militantë ekstremistë të historisë së Partisë së Punës dhe komunizmit, ish- gjyqtarë të komunizmit me dënime të tmerrshme ndaj qytetarëve apo gjyqtarë të kapur e militantë sa herë Partia Socialiste vjen në pushtet.

“Ti thuash qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se këta janë specialistë të pavarur nuk e ndihmon procesin. Ndihmon partinë, por jo reformën, shpërblen shokët e miqtë e partisë dhe kryetarit por jo drejtësinë”, thotë deputeti demokrat.

Në këtë linjë ai shprehet se të sulmosh Presidentin kur ai thotë të vërtetën ndihmon kryetarin e partisë në luftë ndaj Presidentiti por jo procesin e reformës në drejtësi.

“Është me e drejtë të mos bëhemi hipokrite e të themi të vërtetat. Ata janë ekspertë të propozuar nga PS që të shprehin mendimin e PS. Të gjithë e dinë këtë”, thotë Halimi.

Gjithashtu ai deklaron se po ashtu e dinë dhe janë shpresëplotë se vetëm ekspertiza ndërkombëtare, ndihma e jashtëzakonshme e ambasadorit të SHBA, BE dhe OSBE dhe vigjilenca e tyre do të garantojë procesin dhe qëllimin e pritshëm të saj.

Ai shpreh vendosmërinë e opozitës në realizimin e reformës dhe jo për t’i bërë makijazh drejtësisë për të cilën thotë se është kapur nga mazhoranca.

Halimi deklaron se reforma duhet të bëhet tërësore dhe të udhëhiqet nga standardet dhe ekspertiza ndërkombetare në mënyrë që kapja politike e sistemit të drejtësisë të ndalet./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd