
Tiranë, 21 gusht 2015, NOA.al- Kisha Ortodokse e Shqipërisë thotë se është dhunuar kisha e Shën Athanasit në Dhërmi.
Në një qëndrim zyrtar të pasdites së sotme thuhet se, persona të paidentifikuar dhe me makina pa targa, duke shfrytëzuar kohën e drekës, kanë rrëzuar vandalisht mbulesën me soletë të kishës.
Në vijim bëhet e ditur se në momentin që u diktuan nga prifti, banor i Dhërmiut, në ngutje për t’u larguar gati e shtypën, duke i rrezikuar seriozisht jetën.
Kisha ortodokse thotë se nga ana e autoritetit kishtar lokal u bë denoncimi penal ndaj aktit të shkatërrimit të pronës me cilësi të veçanta, për tentativë të qëllimshme aksidentimi dhe nxitje konflikti social.
“Besimtarët ortodoksë të Dhërmiut janë të shokuar nga kjo dhunë e verbër ndaj këtij vendi të shenjtë për ta dhe nga përshkallëzimi i përdhosjes dhe shkatërrimit të tij. Ata kërkojnë me forcë që autoritetet shtetërore kompetente të reagojnë në mënyrë urgjente për gjetjen e fajtorëve dhe të ndërhyjë për të ndalur çdo lloj tentative të mëtejshme shkatërrimi. Besimtarët janë të revoltuar veçanërisht edhe nga qëndrimi i disa mediave dhe individëve, që përpiqen ta politizojnë dhe legjitimojnë shkatërrimin dhe dhunën, madje edhe të krijojnë përçarje pseudonacionaliste”, thuhet nga ana e kishës ortodokse.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë dënon ashpër këto ngjarje, që sipas saj cenojnë pronën dhe lirinë e besimit fetar.
Kjo kishë i bën thirrje besimtarëve që të ruajnë qetësinë përpara provokimeve dhe të qëndrojnë të vendosur në mbrojtje të kishës.
Në këtë linjë kisha kërkon nga shteti të marrë përsipër detyrimet ligjore që rrjedhin nga ligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, që garanton paprekshmërinë e vendeve të kultit dhe mbrojtjen e tyre nga shteti.
Kisha Ortdokse Autoqefale të Shqipërisë deklaron se do ta rikonstruktojë kishën e Shën Athanasit në Dhërmi, e cila është pronë e saj sipas akteve ligjore dhe vendimeve gjyqësore.
Në mbyllje nënvizohet se kisha është i vetmi autoritet i njohur nga ligji që mund të ndërmarrë ngritjen e objekteve ortodokse të kultit, duke shtuar se siç njihet dhe nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve, kjo kishë nuk është monument kulture./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





