Transmetuar më 21-08-2015, 15:08

Tiranë, 21 gusht 2015, NOA.al- Dhjetë mijë euro garanci bankare, nuk e kanë bindur Gjykatën e Lartë që të ndryshojë masën e sigurisë për deputetin kristaiandemokrat Mark Frroku.

Kërkesa u shqyrtua këtë të premtë nga një kolegj prej pesë gjyqatëresh të kryesuar nga gjyqtari Artan Broci, të cilët kanë ndërprerë pushimet. Gjithashtu deputeti kërkonte nga kjo gjykatë të miratonte lejen për të marrë pjesë me 19 tetor në gjyqin që po zhvillohet ndaj tij në Belgjikë.

Seanca ku ishte i pranishëm edhe vetë deputeti u zhvillua me dyer të mbyllura pas  kërkesës së prokurorit Madrit Kulloli.

Në pretendimet e tij  përfaqësuesi i akuzës kërkoi nga gjykata të rrëzoheshin të dyja kërkesat e deputetit me argumentin se nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë për të dhënë një masë tjetër sigurie.

Kolegji i Gjykatës së Lartë i kryesuar nga Artan Broci vendosi të refuzojë lirimin me kusht, vendim i cili ngjalli reagimin e avokatit mbrojtës të deputetit, Saimir Visha, i cili tha se do i drejtohen gjykatës së Strazburgut.

Deputeti kristiandemokrat akuzohet për një vrasje të ndodhur në Belgjikë në vitin 1999. Çështja është duke u gjykuar dhe në 19 tetor është caktuar seanca e radhës. Ndërkohë Frroku është marrë edhe i pandehur për “kallzim të rremë” në lidhje me çështjen “Doshi”. Aktualisht ai ndodhet i arrestuar në ambientet e paraburgimit 302 në kryeqytet./k.b/a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd