Transmetuar më 21-08-2015, 13:39

Në zyrat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, në Tiranë dhe rrethe këto ditë ka një fluks të lartë personazh që regjistrohen duke bërë deklarim biznesi dhe duke u pajisur me certifikatë biznesi.

Ky fluks që po shtohet, shihet nga drejtorja e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Vasilika Vjero, si një përgjigje e shqiptarëve ndaj apelit të kryeministrit për të legalizuar bizneset e tyre gjatë gushtit pasi në shtator do të nisë procesi i kontrollit të gjerë.

“Shpreh kënaqësinë për fluksin e konsiderueshëm të regjistrimeve të reja pas lajmërimit të dhënë nga qeveria shqiptare për një operacion të gjerë kundër informalitetit duke nisur nga shtatori”, – tha sot zonja Vjero në një dalje të posaçme për mediat.

Ajo bëri apelin për formalizim përmes regjistrimit të të gjithë atyre që nuk e kanë bërë ende këtë.

“Bizneset mund të formalizohen duke u regjistruar drejtpërdrejt në QKR ku po punohet me orare të zgjatura ose duke u regjistruar elektronikisht përmes portalit qeveritar e-Albania”, – informoi Vjero.

Ajo theksoi se formalizimi i biznesit përmes regjistrimit dhe dorëzimit të kuponit fiskal tek çdo blerës për çdo mall, do të thotë më shumë të ardhura për investime publike; mundësi reale për rritje rrogash; mundësi e re për ulje taksash.

Në total sot QKR ka të regjistruara 169.528 biznese aktive, pra që kanë aktivitet të përhershëm.

Gjatë 2014 janë regjistruar 16,731 biznese të reja ose 40% më shumë se viti 2013.

Në këto regjistrime 85% e përbëjnë sipërmarrje të vogla që kanë sjellë më shumë vetëpunësim dhe punësim real.

Po ashtu, viti 2014 ka shënuar edhe një rritje me 29 % të prezencës së kompanive të huaja krahasuar me vitin 2013.

Për periudhën Janar – 20 Gusht 2015 janë regjistruar 12,897 biznese të reja, çka e çon në rreth 30 mijë numrin e bizneseve të regjistruara në raport me 2013.

Për drejtoren e QKR, “risia shumë inkurajuese e këtij viti është se, vetëm gjatë periudhës Korrik-Gusht 2015 ka pasur dhe po vijon një numër i lartë regjistrimesh: 3,982 ose 2 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014”.

“Kjo do të thotë se, përveç bizneseve të reja, kemi të bëjmë edhe me shenjat e para të daljes nga zona gri e informalitetit të bizneseve që nuk janë regjistruar prej më shumë se sa një viti e me tej”, – tha Vjero.

Kurse shtoi: “Apeli ynë është regjistrohuni, formalizohuni, pajisuni me kasat fiskale dhe mos shisni pa kuponin fiskal. Operacioni i gjerë kundër informalitetit mund t’ju kushtojë shumë më tepër në terma financiarë dhe ligjorë, atyre që mendojnë se fitojnë më shumë duke qëndruar jashtë binarëve të ligjit”. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd