
Nga Mero Baze
Ka një debat artificial pas një deklarate të stërpërsëritur të Edi Ramës mbi lodhjen e Europës nga zgjerimi dhe humbjen e durimit nga moszgjerimi. Nuk e ka thënë për herë të parë dhe nuk e ka tezë politike, por më shumë gjetje publicistike, që i ngjan si ide. Është e këndshme ta thuash në gazeta, por natyrisht jo në tryeza bisedimesh, ku ke për të raportuar për detyrimet e tua ndaj pranimit në Europë.
E thënë shkurt, më shumë sesa një lodhje e Europës nga zgjerimi, vërehet një farë lodhje e rajonit nga kushtet e zgjerimit, ngaqë nuk i plotësojnë dot. Shqipëria është pjesë e këtij nervozizmi rajonal.
Edi Rama ende për fat nuk ka teza politike antieuropianiste. Ai po përpiqet të jetë pjesë e një grupi politikanësh të rinj në Ballkan, që po sheshojnë problemet e moskomunikimit rajonal dhe është i prirur të jetë i llastuari i BE në këtë pikë.
Teza e fundit antieuropianiste e një kryeministri shqiptar, ka qenë teza e “Albanofobisë”, e prodhuar nga Berisha në Samitin e Mynihut, e cila ishte një akuzë në emër të kombit shqiptar ndaj Europës për racizëm ndaj shqiptarëve. Ndodhi pikërisht kur Bashkimi Europian, në mënyrë të përsëritur për tre vite radhazi refuzoi të hapë zarfin që Berisha e kishte dërguar me miqtë e tij çek që u shiti CEZ në Bruksel, nën garancinë e grekëve që u shiti detin dhe francezëve që do t’u blinte helikoptera. Ishte veprimi më klientelist i bërë në emër të shtetit shqiptar dhe pas dështimit, sulmi më i paprecedent i bërë në emër të kombit shqiptar nga një i papërgjegjshëm kundër Europës.
Fjalimi i Sali Berishën në Samitin e Mynihut, ishte në të vërtetë dhe pika kritike, kur Perëndimi i hoqi atij përfundimisht vizën dhe si lider anormal, një njeri ekscentrik, që ishte gati t’i vinte zjarrin rajonit, për shkak të refuzimit që Europa i bënte politikës së tij.
Nga ai moment, në Shqipëri nisi kthesa e fortë politike dhe ai u largua nga pushteti. Qeveria e re jo vetëm që nuk ka pretenciozitetin e një qeverie delirante, që t’i diktojë Evropës çfarë të bëj, por së paku na ka shpëtuar nervat dhe nga retorika nacionaliste apo paternalizmi për faktorin shqiptar në Ballkan. Për fat të mirë Edi Rama nuk ndjehet “baba i kombit”, dhe shqiptarët kudo që janë nuk kanë varë xhaketën e shpresës tek ai.
Përpjekja për të prodhuar nga publicistika e Ramës një lider të ngjashëm si Berisha, nuk funksionon. Rama është e vërtetë që ka nevojë të përkëdhelet dhe të ndjehet si rebel herë pas here, kur nuk i shkon vaj puna me Brukselin, por probemi nuk është në Bruksel, por në shtëpinë e tij. Dhe një nga kryeproblemet është pikërisht se ai po e lëviz ngadalë Shqipërinë nga gërmadhat ku e la Sali Berisha.
Problemi i vetëm që ka Shqipëria, por dhe liderët e saj shqiptarë, është se ata mendojnë që janë qendra e botës dhe Europa mendon natë e ditë për ta, si t’i fusë në Europë. Edhe pse Bashkimi Europian përpiqet të ruajë koherencën dhe strategjinë e tij të zgjerimit, problemet e reja që po e mbysin atë, e bëjnë të bezdisshëm padurimin tonë për të marrë vemendjen e tij. Thjesht jemi të dënuar të mos humbasim durimin.
E vërteta është se Europa është i vetmi orientim që e shpëton kombin shqiptar, qoftë dhe si objektiv që mund të vonojë të arrihet. Ajo na mban të bashkuar dhe me shpresë se një ditë do t’ia arrijmë. Çdo lodhje nervash apo retorikë delirante kundër Europës, na shpërbën dhe na kthen në një anarki si ajo e vitit 1914, ku disa kërkojnë babën në Turqi, e disa nënën në Europë. Europa na vlen dhe si ëndërr, që do realizohet vonë, pasi na mban zgjuar dhe na jep motiv përse të luftojmë. Dhe kësaj ëndrre i jemi borxh, pasi na ka dyfishuar si komb brenda një shekulli. Nuk ka rëndësi kur do jemi anëtarë të saj, apo të barabartë si ajo. Vendimi për të qenë europian na bën shqiptarë. Çdo vendim dhe objektiv tjetër, na bën thjesht popullsi problematike.
*Botues i të përditshmes “TemA”
**Qëndrimet e shprehura nuk paraqesin domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





