Transmetuar më 21-08-2015, 10:12

Nga Deada Hyka / Revista Monitor

Pjesa më e madhe e portaleve kryesore në vendin tonë janë ata të cilët “mbështeten fort” nga një media e madhe, qoftë kjo televizion apo gazetë, dh puna e këtij portali pasqyrohet bindshëm në transmetimin e informacioneve dhe të qenit një ndër më të aksesuarit për publikun.

Por, ç’ndodh me portalet e tjera të pavarura? Drejtues të strukturave të tilla tregojnë për Monitor se vështirësia më e madhe që ata hasin në tregun shqiptar, tashmë të mbingopur me iniciativa të tilla transmetimi lajmi, është aftësia për të marrë reklama, kundrejt mediave tradicionale (apo portaleve që mbështeten nga të tilla), ndonëse portalet kanë të dhëna të sakta të matshme të audiencës së tyre…

Rritja e raportimit dixhital

Teksa redaksitë e printit vijojnë të shkurtojnë vende pune, dhjetëra gazetarë janë duke punuar tashmë në botën në rritje të lajmeve dixhitale, një pjesë e madhe e të cilave janë portale lajmesh unike (ose të pavarura), që nuk kanë “si mbështetje” një televizion apo gazetë të madhe.

Duke qenë se numri i tyre është gjithnjë në rritje, lind pyetja: a ka ngopje tregu e hapësirave të tilla? Themeluesi i “Noa.al” Edison Kurani, thotë për Monitor se, mes shumë portalesh në Shqipëri, lufta është për mbijetesë, jo vetëm në raport me informacionin por, edhe me reklamimin, ku mediat e mëdha kanë pjesën më të madhe të “tortës”.

Lajmi si biznes

Pyetjes se a është “lajmi on-line” një biznes i mirë, drejtuesit e portaleve u përgjigjen thuajse njësoj: “është në kufijtë e mbijetesës”.

Dhënia e informacionit “falas” në ditët e sotme (portalet ende nuk kanë akses me parapagesë sikurse ndodh jashtë), ndërkohë që marrja, grumbullimi, klasifikimi dhe shpërndarja e informacionit po bëhet gjithnjë e më kushtueshme, bën që modeli i portalit aktualisht të mos ketë një logjikë financiare tregu, sikurse theksojnë studiues të ndryshëm perëndimorë të ekonomisë të mediave.

Të nisura si media dhe sipërmarrje private që funksionojnë në treg, ky sektor ka ecur drejt një modeli shumë më të ndërlikuar, i cili nuk mund ta sigurojë “cilësinë” e kërkuar nga drejtuesit sipas këtyre mekanizmave.

E gjitha kjo ka sjellë që mediat të mos ta shohin misionin e tyre kryesisht si informim objektiv, sa më i plotë, dhe i dobishëm i publikut, por ta konsiderojnë informimin publik si një vlerë që nënrenditet ndaj strategjive të tjera që ushqejnë mediat me burime financiare.

Raporti i ri dhënës-marrës

Për herë të parë në ekonominë e medias përgjatë historisë së saj, me ardhjen e internetit dhe kalimin e mediave në komunikimin dixhital, me zhvillimin e teknologjive të reja të komunikimit si telefonia celulare dhe kompjuteri e mjetet e tjera si iPad, kanë krijuar marrëdhënie të reja midis “shitësit” dhe “blerësit” të informacionit, pra midis agjencive të mirëfillta mediatike dhe audiencave.

Konsumatori i informacionit, tanimë, është jo vetëm pritës dhe përfitues i shërbimit, por ai del edhe në “tregun” e informimit publik, në hapësirën publike, në “mainstream” dhe paraqet aty komentet, interpretimet e tij ose bëhet nga ana e tij burim i një informacioni të ri.

Një pjesë e madhe e gazetarëve në këtë fushë tregojnë se, komentet e ardhura në fund të një lajmi të caktuar apo edhe mesazhet private kanë “ushqyer” gazetarët me informacione të reja. Dixhitalizimi solli një aspekt të tillë, që ekspertët e konsiderojnë si “pa kosto”, të marrjes së informacionit, shpeshherë, edhe të një shkrimi krejtësisht të gatshëm.

Kosto e gazetarit online

Në fazat e sotme të gazetarisë shqiptare, shpenzimet për pagesën e punës së gjallë të gazetarit të spikatur profesionist, kanë ulur mundësitë për të fituar nëpërmjet reklamës, por, nga ana tjetër, janë ulur shumë shpenzimet për qarkulluar informacionin.

Portalet kanë një strukturë të tillë që informacioni ruhet për një kohë të gjatë, publiku mund t’i rikthehet herë pas here. Për më tepër, në kuadër të kostove që mund të kenë stafi redaksional i një portali, duhet theksuar, siç tregojnë edhe drejtuesit e këtyre strukturave, se janë ulur shpenzimet e komunikimit në distancë midis gazetarit në terren dhe redaksisë virtuale, si dhe mbi të gjitha kanë ardhur duke u zvogëluar shpenzimet që duhen bërë për komunikimin midis redaksisë dhe agjencive të ndërmjetme përpara sesa informacioni të shkojë tek audiencat, pra shtypshkronjës, rrjeteve të shpërndarjes, etj., duke mundësuar forma të reja editimi dhe shpërndarjeje.

Intervistë me z. Edison Kurani – Themelues i Agjencisë Kombëtare të Lajmeve NOA.al

“Mediat tradicionale marrin ‘tortën’ e reklamave, portalet e pavarura punojnë për pasion”

Intervistoi: Deada Hyka / Revista “Monitor”

Si lindi ideja e hapjes së një agjencie lajmesh?

Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA lindi rreth dhjetë vjet më parë, kur në Shqipëri ekzistonin vetëm një numër i vogël web-esh, pothuajse të gjitha, faqe të gazetave dhe televizioneve. E vërteta është se që në fillim NOA (News of Albania) u bë pikë referimi për shqiptarët në Shqipëri dhe trojet përtej kufirit, si dhe kudo në botë ku jetojmë ne shqiptarët. Gazetat, TV, radio etj., e përdorin NOA.al si burim të rëndësishëm informacioni. Mendoj se këto kanë ardhur mbi të gjitha nga pasioni dhe profesionaliteti i gazetarëve që kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë me NOA.

Bazuar në vitet e eksperiencës, a përbën “lajmi” një biznes të mirë?

Për hir të së vërtetës, nuk mund të them se lajmi përbën një biznes të mirë, në aspektin fitimprurës. Përkundrazi, është në kufijtë e mbijetesës. Por ju siguroj se vetëm pasioni e mban gjallë një nismë të tillë.

Cilat janë vështirësitë e këtij sektori?

Të kesh një biznes nga pas, apo një media të njohur nga pas, shpesh është një avantazh. Në ndonjë rast mund të shihet edhe si penalizim. Por unë mendoj se në rastin e NOA.al është marrë vendimi i duhur: Një agjenci e pavarur lajmesh, kombëtare dhe gjithëpërfshirëse që nuk mban anësi politike dhe nuk mbështetet nga asnjë biznes apo parti. Dhe kjo nismë është përqafuar gjerësisht nga audienca, e cila ka njohur vetëm rritje progresive. Është një përpjekje gazetareske për t’i dhënë lexuesit kudo që ndodhet, shpejt dhe saktë, lajmin për gjithçka ndodh. Dhe është pikërisht ky pasion që na bën ne të rendim pas lajmit dhe t’ua shpërndajmë të gjithëve.

Sa staf nevojitet për të kryer punën e shkrimit dhe transmetimit të lajmit në një portal?

Sa më shumë, aq më mirë. Në fakt, vështirësitë janë të mëdha, por fatmirësisht ka një dëshirë të madhe për bashkëpunim dhe reporteri i NOA është kushdo, gazetari, intelektuali, lexuesi dhe ai që e sheh lajmin aty ku ndodh.

A tërheq website më tepër për “thithjen” e reklamave? Si është raporti juaj me to?

Nëpër botë ka vite që thonë se e ardhmja është online dhe në vendet e zhvilluara kjo e ardhme ka mbërritur. Edhe në Shqipëri flitet me këtë moto, por do thoja është vetëm përqafim formal dhe në parim i motos ndërkombëtare. Sepse e vërteta flet ndryshe. Mediat tradicionale, TV, radio, gazeta marrin thuajse të gjithë tortën e reklamave. Sepse edhe biznesi është i prirë të përqendrohet tek to. Ka disa kompani që e kuptojnë rëndësinë e web-it. Kanë arritur të kuptojnë edhe se vetëm mediat online kanë monitorim real të audiencës, e cila është bërë disa herë më e lartë se e mediave tradicionale. Por vlerat që kompanitë reklamuese ofrojnë apo paguajnë, janë shumë të vogla, duke i detyruar mediat e pavarura online që të vazhdojnë të punojnë për pasion.

* Marrë me shkurtime nga revista ekonomike “Monitor”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd