




Një grua e re shqiptare e cila ka shkuar për azil në Gjermani, përballet me një dramë e cila po i kthehet në makth pa mbarim.
Afërdita Nuhaj, 36 vjeçare nga Fieri, humbi tragjikisht djalin e saj të vogël pasi ai u mbyt në një pishinë pranë kampit të azilantëve ku gjendeshin.
Nënë e bir gjendeshin prej pak kohe në Gjermani dhe kishin aplikuar për azil, ku gjendeshin në pritje të përgjigjes nga autoritetet dhe ndërkohë ishte strehuar në një kamp refugjatësh.
Ngjarja, u përfshi në hetimet policore vendase dhe ata çmuan se kemi të bëjmë me një vrasje nga pakujdesia të djalit nëntëvjeçar, nga nëna e tij.
Afërdita Nuhaj tregon momentet e tmerrshme të humbjes së djalit.
Ajo thotë se i biri 9 vjeç, kishte shkuar te pishina aty pranë dhe po lahej. Në një moment, duket se nuk ka arritur të dalë nga uji dhe është nxjerrë prej aty në gjendje kome.
Nëna e lebetitur e dërgoi në spital të birin. Lufta me vdekjen zgjati 12 ditë dhe në fund, fëmija ndërroi jetë.
Por, drama nuk përfundon këtu.
Tashmë mamaja e tij do të procedohet penalisht për vrasje nga pakujdesia.
“Është e tmerrshme ajo që po më ndodh mua. Shkova në Gjermani për të siguruar një jetë më të mirë për familjen time, por humba fëmijën tim.
Autoritetet gjermane, në vend të hetojnë personat përgjegjës për vdekjen e djalit tim, më akuzojnë mua për vrasjen nga pakujdesia”, shprehet Nuhaj.
Në këto rrethana, Afërdita shprehet se është shumë e tmerruar nga kjo që i ndodhi por edhe nga telashet me drejtësinë gjermane. Ajo tani kërkon ndihmën e shtetit shqiptar që ta suportojë në këtë proces gjyqësor që është hapur ndaj saj duke u akuzuar për vrasje nga pakujdesia të fëmijës.
Ja dhe intervista e Afërditës dhënë për portalin e Fierit, alb365.com, gazetarit Xhemil Beharaj:
Kur shkuat në Gjermani?
Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë edhe unë së bashku me djalin tim 9 vjeçar Erid Çela në 12 Prill të këtij viti morëm rrugën dhe shkuam azilkërkues në Gjermani. Pasi mbërritëm atje na stabilizuan në kamp ku ndenja disa javë. Meqenëse isha nënë e kisha një fëmijë na stabilizuan në një hyrje pallati në qytetin Spyer ku merrja edhe një ndihmë ekonomike Euro për djalin por dhe për të nxjerrë muajin me gjërat më të domosdoshme.
Si u ndodhi ngjarja?
Në datën 5 qershor vendosa me djalin të shkonim në pishinat publike në qytetin ku rrinim në Spyer. Hyrja ishte 10 euro për person, kështu që pagova 20 euro. Një punonjës i stafit të pishinave publike na porositi që të mos përdornim alkool, birra. Teksa bëmë gati shezllonët djali u zhvesh e donte në pishinë. Unë i thashë që të hante diçka e pastaj të lahej. Duke i bërë ushqimin gati për të ngrënë ai iku. Pishinën e fëmijëve e kisha vetëm 5-6 metra larg. Kur çfarë të dëgjoj pas as dhjetë minutash. Po ulërinin njerëzit. Djali rrinte I mbytur mbi ujë në pishinën e të rriturve që ishte ngjitur me atë të të miturve. Një doktoreshë, kosovare me origjinë, më ndihmoi. E nxorëm. Kërkuam ndihmë nga personeli I pishinave publike, nuk na afroi askush. Pas afro 15 minutash erdhi një helikopter e mori djalin e çuan në spital në Montein. Aty qëndroi për 12 ditë shtruar në koma.
Çfarë ndodhi më pas?
Qendra sociale për 4 ditë qëndrimi të djalit në këtë spital pagoi 12 mijë euro. S’kisha ta paguaja. Policia u vu në dijeni të ngjarjes dhe nisi hetimet. Djali në krye të 12 ditëve vdiq. Ekipi i mjekëve i ndërpreu medikamentet dhe pajisjet që e mbanin në jetë duke më thënë se s’mund të bënin më asgjë për tim bir. Ngjarja u bë publike në media dhe kjo qe edhe shkaku që policia nisi hetimet pasi ajo kishte ndodhur në një pishinë publike për komunitetin jo vend privat. Staf për kujdes s’kishte, kamera survejuese nuk kishte.
Pse akuzoheni tashmë nga gjykata e qytetit gjerman?
Tre ditë më parë më vjen një shkresë nga gjykata ku më thuhej se akuzohem për vrasjen e djalit tim 9 vjecar për vrasje nga pakujdesia. Nuk mjafton ajo që më ndodhi. Në një ambient publik, pishina publike, ku nuk kish as ndihmë të shpejtë, as kamera survejuese ata më akuzojnë mua për vrasje nga pakujdesia. Ku ta di unë që djali im ka qenë tek pishina e të rriturve për të parë dhe nuk e kanë shtytur pasi kishte shumë fëmijë adoleshentë tek pishina e të rriturve të cilët e shikonin djalin mbi ujë të mbytur e nuk bënin asgjë, heshtnin.
Çfarë kërkoni ju tashmë pas kësaj ngjarjeje?
Shteti shqiptar të ndërhyjë tek shteti gjerman nëpërmjet ambasadës gjermane në Tiranë për këtë padrejtësi që bëhet. Në vend që të hetojnë drejtuesit e pishinave publike që nuk kanë staf, s’kanë ndihmë të shpejtë, e gjejnë zgjidhje duke më hetuar mua. Sa mirë jepte udhëzime stafi kur paguam 20 euro, që mos pini alkool, birra, por ama roje tek pishinat e të miturve e të rriturve nuk kishte. Kamera survejimi nuk kishte. Kam takuar edhe shumë avokatë. Askush s’e merr përsipër çështjen pasi ka të bëjë me ambiente publike – shtetërore.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





