Transmetuar më 20-08-2015, 20:38

Diplomatët e huaj bashkëbisedojnë me të rinjtë dhe të rejat në kampin veror të LRI-së në Jalë. Ambasadori i Austrisë, Thomas Schnöll, i Izraelit, Boaz Rodkin dhe Zv. Ambasadori i Francës, Didier Guilbert folën sot në bregdetin jugor, me të rinjtë e të rejat për çështje si integrimi dhe arsimi.

Schnöll, në përgjigje të interesit të pjesëmarrësve në këtë aktivitet ka folur mes të tjerash për çështje si eurozona si edhe për rolin e të rinjve në procesin integrues të Shqipërisë në BE.

“Ka nevojë për një sistem arsimor që t’i drejtojë të rinjtë drejt tregut të punës dhe mund t’iu jap si shembull arsimin profesional si një model i suksesshëm në Austri e që nëse shtrihet edhe këtu do të ketë efekte më të mira për brezin”, – tha Ambasadori i Austrisë teksa më tej u diskutua edhe për rolin e partive politike në Shqipëri, për përfshirjen e të rinjve në organet vendimmarrëse.

Zv.Ambasadori i Francës Guilbert, shprehu mendimin se duhet të ketë ndërthurje dhe shkëmbim eksperiencash ndërmjet të rinjve.

Ndërsa, Ambasadori i Izraelit, diskutoi me të rinjtë rreth arritjeve dhe inovacioneve të shtetit të Izraelit në mbarë botën. Z. Rodkin tha se me vullnet, përgjegjësi e vendosmëri asgjë nuk është e pamundur.

Diplomati izraelit u shpjegoi të rinjve dhe të rejave se në jetë do të ketë zhgënjime, humbje dhe pësime, por nga ato mësohet, ecet përpara dhe përmirësohesh.

Përveç kësaj, ambasadori Rodkin diskutoi edhe për projektet që shteti i Izraelit dot ndërmarrë në lidhje me punësimin dhe arsimin në Shqipëri.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd