Transmetuar më 20-08-2015, 11:34

Vlorë, 20 gusht 2015, NOA.al – Në Vlorë, krimi në familje vazhdon të jetë shqetësues dhe rasti më i fundit është përballje e përgjakshme mes atë e bir me pasojë plagosjen e njërit prej tyre.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Isa Boletini” në qytetin e Vlorës, raporton noa.al.

Dhionis Metani, 50 vjeç, është përfshirë në një debat për motive të dobëta brenda shtëpisë së tyre, me djalin e tij 20 vjeçar, R.Metani.

Gjithçka nisi pasi Dhionisi po priste të vinte i biri në shtëpi. Me të mbërritur djali, ka nisur ta qortojë, duke i kërkuar të sillet mirë dhe të mos përfshihet në telashe me shoqërinë.

Në këtë vorbull, babai ka nisur ta rrahë djalin duke e dhunuar fizikisht.

Gjakrat janë nxehur në debat e sipër, dhe në një moment, babai 50 vjeçar ka marrë një thikë dhe me të ka goditur djalin e tij, duke i dëmtuar gishtërinjtë e dorës. Mësohet se ai i ka shkaktuar prerje të pjesëve të gishtërinjve.

Policia lokale tha sot se mori denoncimin nga djali i ri dhe lidhur me këtë ngjarje ka arrestuar në flagrancë Dhionis Metanin, duke e akuzuar për veprën penale “Dhunë në familje”.

I dëmtuari ka marrë ndihmë mjekësore dhe nuk paraqet rrezik për jetën. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd