
Kryeministri shqiptar Edi Rama paralajmëron Bashkimin Europian se, lodhja sipas tij nga zgjerimi do të kishte ndikim për paqen në Ballkan
Paralajmërimi i shefit të qeverisë shqiptare vjen pak ditë para konferencës së Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe në prag të mbledhjeve të vjeshtës së BE për të ardhmen e vendeve që aspirojnë anëtarësimin në këtë union.
Duke folur për revistën amerikane Newswek, mbi çështjen e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera aspirante në Ballkan, z.Rama thotë se “Europa duhet të bëjë më shumë për të mirëpritur kombet e Ballkanit”.
Kryeministri shprehet “pa doreza”, kur thotë se “Europa duhet të bëjë më shumë për të mirëpritur kombet e Ballkanit”.
“Sot, ne kemi një paqe në rajon, të cilën nuk e kemi pasur kurrë në histori”, ka thënë Rama, i vetëdijshëm se, siç thotë ai, “ne nuk jemi engjëj dhe as nuk kemi për të qenë ndonjëherë, por se kjo paqe është rezultat i aspiratës së të gjithë popujve në këtë zonë, për të qenë pjesë e Europës”.
Pa e çuar më tej idenë e tij, kryeministri i Shqipërisë i tha të përjavshmes amerikane që “nëse Europa do të vazhdojë të tregojë lodhje nga zgjerimi, atëherë ajo rrezikon që ta shohë këtë rajon të lodhur nga durimi. Nëse durimi merr fund, Ballkani gjithmonë do të identifikohet me gjakderdhje”, është shprehur Rama, i cili nuk e ka përfunduar me kaq paralajmërimin e tij.
“Ta lësh Ballkanin dhe besimet e tij të ndryshme fetare të shpërbëhen, kjo do të ishte një tragjedi për çdonjërin prej nesh”, thotë kryeministri Edi Rama.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





