
Tiranë, 19 gusht 2015, NOA.al- Ministria e Brendshme reagon ndaj Partisë Demokratike lidhur me pretendimet e deputetit Flamur Noka se qeveria ka hedhur poshtë dëshmitarët e mbrojtur.
Kjo ministri thotë se në asnjë rast nuk është shkelur asnjë marrëveshje me dëshmitarët e mbrojtur të drejtësisë, por se ata të gjithë janë trajtuar sipas dispozitave ligjore në fuqi.
MPB sqaron se dëshmitari Arben Kicja, i cili dëshmoi për çështjen e njohur si “Banda e Lushnjës” humbi statusin, pasi shkeli marrëveshjen me shtetin shqiptar duke thyer, në mënyrë të vetëdijshme për më shumë se një herë, rregullat e përcaktuara.
“Në zbatim të ligjit, ky dëshmitar i mbrojtur nuk mund të gëzojë më statusin e të mbrojturit. Theksojmë se heqja e statusit të një dëshmitari të mbrojtur nga drejtësia nuk bëhet as nga Qeveria dhe as nga Ministria e Punëve të Brendshme, por nga Komisioni shtetëror përkatës, ku janë anëtarë përfaqësues të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Policisë së Shtetit dhe MPB-së”, thuhet në qëndrimin e kësaj ministrie.
Në vijim nënvizohet se për sa i përket dëshmitarit të vrasjes së komisar Dritan Lamaj, ai është nën mbrojtje të posaçme dhe gëzon statusin që përcakton ligji.
Në mbyllje MPB bën thirrje që të mos përdoren çështje të tilla për luftë politike, apo të spekulohet me zbatimin korrekt të ligjit./a.y/noa.al Noka: Qeveria hedh në rrugë dëshmitarët e drejtësisë, mbron bandat e krimit
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





