Transmetuar më 19-08-2015, 14:58

Tiranë, 19 gusht 2015, NOA.al-Ish-kryeministri Berisha e ka cilësuar hakmarrje heqjen e mbrojtjes ndaj dëshmitarit të bandës së Aldo Bares.

Në një prononcim në Facebook, ish kryeministri Berisha, shprehet se, Edi Rama hakmerret për Aldo Baren, i heq mbrojtjen dëshmitarit të krimeve të bandës, Arben Kicja!

“Të dashur miq, Edi Rama, emri i të cilit del në përgjimet e zëvendëskryetarit të bandës mizore të Lushnjes, Enver Dondollakut, nga prokuroria e Firences  del i lidhur me këtë bandë, i ka hequr mbrojtjen dëshmitarit të të gjitha krimeve monstruoze të bandës së Aldo Bares, ekzekutimeve, djegieve për së gjalli, prerjes së kokës dhe lojës së futbollit me kokë njeriu të prerë në sheshin kryesor të Lushnjes”, shprehet Berisha.

Ish-kryeministri theksoi se, “Edi Rama vepron sipas një plani të caktuar kriminal për të ndryshuar akuzat dhe dënimet Aldo Bares dhe vrasësve të tjerë të bandës së Lushnjes. Ai për këtë qëllim i hoqi mbrojtjen në vendin ku ishte strehuar z. Arben Kicja, dëshmitarit guximtar të të gjitha krimeve të bandës së Lushnjes dhe bosit të saj Aldo Bares, i cili aktualisht, de fakto është drejtor i burgut të Peqinit”.

Berisha thekson se, “burime të sigurta më njoftojnë se pas heqjes së statusit si dëshmitar i mbrojtur Arben Kicjas, ndaj tij emisare të pushtetit dhe të bandës kanë bërë dhe bëjnë kërcënime me jetën e tij dhe të familjarëve në qofte se ai nuk ndryshon dëshminë për Aldo Baren. Ndërkohë, siç e kam denoncuar dhe në parlament dhe media, Rama ka pregatitur terrenin në Gjykatën e Lartë për rihapjen e procesit gjyqësor ndaj Aldo Bares dhe bandës së tij, me të cilën Ramën e lidhin shumë e shumë fije’.

“Duke denoncuar si një akt të shëmtuar kriminal antishtet të Edi Ramës dhe suitës së tij të krimit, që për shkak të lidhjeve të tij me kriminele dhe banda, shet dëshmitarët e krimeve me monstruoze që kanë ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, i bëj thirrje Presidentit te Republikës dhe Prokurorit te Përgjithshëm të marrin të gjitha masat për mbrojtjen e z. Arben Kicja dhe për ndëshkimin ligjor të atyre që, si zuzare e kriminele të vërtetë, në kundërshtim me çdo ligj nxjerrin ne treg dëshmitarët e mbrojtur nga shteti! “, tha Berisha. /e.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd