Transmetuar më 19-08-2015, 12:17

Fier, 19 gusht 2015, NOA.al- Pas 24 orë kërkimesh nga familjarët ende nuk është gjetur trupi i pajetë  i adoleshentit Dritan Shametaj, i cili u mbyt një ditë më parë teksa lahej në lumin Vjosë në Fier.

Familjarët dhe banorët e zonës kanë vijuar kërkimet dje dhe sot gjatë gjithë ditës, por ende nuk kanë mundur ta nxjerrin trupin e të riut nga ujërat e lumit.

Familjarët kanë kërkuar ndihmën e polumbarëve, por sipas tyre këta të fundit ende nuk kanë mbërritur në vendngjarje. Të afërmit e viktimës si daja, xhaxhi dhe para pak minutash babi i tij kanë kërkuar ndihmën e shtetit pasi lumi është i thellë dhe ata nuk kanë mjete

Babai i 17-vjeçarit, Bashkim Shametaj i ka bërë thirrje ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për ndihmë. Ai i ka kërkuar të dërgojë palombarët për të gjetur trupin, pasi lumi Vjosa është i thellë.

“Prej 24 orësh presim palombarët. I bëj thirrje ministrit Tahiri të dërgojnë palombarët për gjetjen e trupit. Lumi është i thellë, jemi duke kërkuar me not”, ka thënë babai i viktimës. Ndërkohë pas apeleve të vazhdueshme nga familjarët ka ardhur edhe reagimi i policisë rreth mesditës, e cila ka premtuar se palombarët i janë drejtuar tashmë vendi ku u mbyt adoleshenti për të kërkuar trupin e tij në Vjosë.

Edhe xhaxhai i 17-vjeçarit më herët ka deklaruar se më shpejt ka mbërritur ai nga Greqia se sa strukturat e policisë. Ai ka rrëfyer se nënës së viktimës i ka rënë të fikët dhe është sjellë në vete nga familjarët pasi nuk ka pasur as shërbim mjekësor.

“Erdha më shpejt unë nga Greqia, kurse shteti jo. I ra të fikët nënës, ne me alkool mezi e sollëm në vete 30 minuta. Infermieri kishte mbyllur telefonin. Mos t’ia lënë natyrës ta nxjerrë fëmijë. Shpresojmë që shteti të ndërhyjë”, deklaroi xhaxhai i viktimës.

Edhe dje daja i të riut bëri apel për ndihmë, duke kërkuar ndërhyrjen e palombarëve, për të cilët u shpreh i gatshëm ti paguanin edhe privatisht. Sot disa të rinj të fshatit Buzëmadh dhe familjarët po kërkojnë me not në lumin Vjosë, çka mund të jetë e rrezikshme. Fier, mbytet në lumin Vjosë një 20 vjeçar, po lahej me të atin

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd