Transmetuar më 19-08-2015, 09:21

Lezhë, 19 gusht 2015, NOA.al – Dëshira për të ikur nga Shqipëria, shtyn njerëzit të bien prè të çdo mashtrimi dhe të humbasin edhe paratë e tyre.

Në rrjetën e radhës së mashtrimit kanë rënë edhe 8 persona në qytetin e Lezhës.

Policia lokale pohoi sot për noa.al se në komisariatin e Lezhës janë regjistruar 8 denoncime nga qytetarë të ndryshëm për mashtrim, duke theksuar faktin se personi që ata denoncuan ishte i njëjtë.

Bëhet fjalë për shtetasin K.GJ., 42 vjeç, banues në Gjakovë të Kosovë, i cili është prej vitesh emigrant në Zvicër.

Sipas policisë, 8 persona i kanë dërguar qytetarit nga Kosova nga 800 euro me agjencitë e transfertave të parave Western Union dhe Money Gram, pasi ai u kishte premtuar se do t’u siguronte kontrata pune në Austri.

Janë dashur katër muaj që këta qytetarë të kuptojnë se janë bërë pjesë e një mashtrimi duke humbur paratë e tyre.

Ata kanë bërë denoncimin në polici. Pas marrjes së këtyre denoncimeve, Sektori për Krimin Ekonomiko-Financiar Lezhë, ka filluar procedimi penal dhe ka bërë shpalljen në kërkim e shtetasit shqiptar nga Kosova. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd