
Tiranë, 18 gusht 2015, NOA.al- Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti në një konferencë për shtyp ka bërë një bilanc të punës së bërë deri më tani.
Ministri u shpreh se, kemi në përgjithësi një rritje të ndjeshme të prodhimit bujqësor në të gjitha zonat e prodhimit, kështu psh prodhimi i grurit deri në fund të qershorit është më i madh se prodhimi vjetor.
“Nga disa të dhëna që na vijnë nga qarku i Elbasanit, ku për këtë 6 mujor kemi prodhuar 40134 tonë përkundrejt 36.400 tonë prodhim vjetor, pra jemi si gjashtëmujor më lart se prodhimi vjetor pasi deri në fund të qershorit, një sasi e konsiderueshme e grurit ndodhet në ara. Fieri, po për grurin kemi 32.000 tonë të prodhuar si gjashtëmujor, përkundrejt 30900 tonë të vitit 2014. Po kështu shumë i mbarë paraqitet prodhimi i misrit, për të cilin statistikat do ti keni në fund të gushtit pasi aty fillohet dhe grumbullimi i misrit kalli dhe i misrit si ushqim për blegtorinë. Rritje të ndjeshme të prodhimit kemi për perimet në sera për këtë 6mujor, ku prodhimi paraqitet më i lartë se sa prodhimi vjetor i një viti më parë. Kështu psh për qarkun e Fierit kemi prodhuar 12700 tonë domate në këtë 6 mujor, krahasuar me 10900 tonë si prodhim vjetor të një viti më parë. Në qarkun e Beratit kemi prodhuar 25000 tonë domate si gjashtëmujor, kundrejt 21000 tonë prodhim domate të një viti më parë. Të kemi parasysh që akoma prodhohet dhe nxirret domate në treg. Prodhimi i bostanorëve në këtë gjashtëmujor është më i lartë se prodhimi vjetor. Rritje të jashtëzakonshme kanë pasur eksportet bujqësore për të cilën ne duhet të krenohemi pasi kemi praktikisht në disa qarqe dyfishim të eksporteve bujqësore dhe kjo është një arritje, po të kemi parasysh që ne jemi ndodhur dhe de-fakto jemi nën efektin e embargos së prodhimeve bujqësore ndaj tregut rus, po kjo ka shkaktuar çrregullime dhe në tregjet evropiane, duke i kufizuar hapësirat, megjithatë eksportet tona janë rritur”, tha ministri.
Ai shtoi se, harta e eksporteve përfshin rreth 20 vende, vende të BE, vende të rajonit, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kështu për shembull më lejoni të ndaj disa të dhëna sa i përket eksporteve; vëllimi total të tyre për rrethin e Lushnjës. Deri në fund të gjashtëmujorit janë eksportuar 36 mijë e 23 tonë produkte bujqësore. Kanë kaluar doganat tona dhe janë shpërndarë në tregjet rajonale dhe ato evropiane përkundrejt 18 mijë e 900 tonë eksporte bujqësore të një viti më parë për periudhën 6 –mujore. Po kështu në Berat, kemi 21 mijë e 703 tonë eksporte bujqësore në tërësi përkundrejt 10 mijë e 445 tonë eksporte bujqësore të të njëjtës periudhë të nj viti më parë. Rritje të ndjeshme të eksporteve kemi natyrisht edhe në veri, edhe në qarkun e Shkodrës, ku spikat rritja e ndjeshme e bimëve mjekësore, kryesisht e sherbelës, ku kemi një kërcim të ndjeshëm krahasimisht me një vit më parë, kemi 2300 tonë kundrejt 1180 tonë të një viti më parë. Po kështu për sherbelën. Ndërsa për bimët e tjera medicinale kemi 700 tonë eksporte krahasuar 295 tonë të një viti më parë. Po çfarë nxjerrim ne nga këto tregues? Mendoj se ajo që mund të nxjerrim si konkluzion është që politika jonë e mbështetjes së zinxhirit të vlerave, e fokusuar në mbështetjen e pikave të mëdha të grumbullimit, magazinimit të produkteve po jep rezultate. Janë këto pika grumbullimi të cilat organizojnë fermerët që i bëjnë ata të bashkohen kundrejt një kulture e cila ka avantazh pasi kërkohet në treg dhe pasi është e mirëkontrolluar, e mirëmenaxhuar dhe aq më tepër me treg të garantuar. Këto modele suksesi i shikojmë të qartazi, në rrethin e Lushnjës, në Qarkun e Fierit, në Berat edhe gjetkë. Prandaj politika e mbështetjes së zinxhirit të vlerave është shumë më rezultative sesa mbështetja e individit për arsye se mbështetja e zinxhirit të vlerave shkon më tepër në mbështetjen e individit sesa një politikë e projektuar si asistencë sociale, si shpërndarje e fondeve për bamirësi, të cilat nuk kthehen në prodhim, që nuk kthehen me daljen e prodhimit në treg, nuk kthehen në vlera për ekonomitë bujqësore, në të ardhura për fermerët dhe për ekonominë kombëtare”, tha Panariti.
Sfida jonë, tha ministri, është zgjerimi i tregut. Ai shtoi se, "ju e dini që të ndodhur para çrregullimeve të tregjeve bujqësore, ne do të kërkojmë tregje të reja dhe unë në shtator do të udhëtoj drejt Ukrainës ku tashmë kemi vendosur kontakte me autoritetet e Ukrainës në mënyrë që prodhimet e freskëta shqiptare bujqësore, perime dhe fruta kryesisht, por edhe prodhime të konservuar të bujqësisë sonë të hyjnë në tregun ukrainas. Kjo padyshim do t’i japë një tjetër frymëmarrje, një tjetër hov prodhimit bujqësor, pasi Ukraina është një treg me peshë. Njëkohësisht, ne jemi të projektuar për të zgjeruar përfaqësimin e perimeve, frutave dhe prodhimeve bujqësore e blegtorale të vendit tonë me tregjet e Bashkimit Evropian.
Ka një arsye për këtë. Jo vetëm fakti që ne tashmë jemi të projektuar drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, dhe detyrimisht tregjet dhe integrimi në to janë pjesë e politikës tërësore të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Por, edhe një arsye tjetër. Tregu i Bashkimit Evropian paguan shumë më mirë sesa tregjet rajonale për njësi prodhimi. Mjafton të përmend të një të dhënë; nëse ne shesim 1 kg domate në tregjet rajonale me 0.3 euro, në tregun gjerman kemi arritur ta shesim me 1.29 euro. Po kështu edhe në tregjet e tjera të Danimarkës, të Zvicrës etj".
Ministri theksoi se, përveç zërave tradicionalë të rritura tashmë të prodhimit bujqësor, ne kemi rritje edhe në produktet e tjera. P.sh. prodhimi i i vezëve është në shtim të ndjeshëm. Statistikat tregojnë që ne kemi prodhuar 146 milionë vezë deri tani deri në fund të 6-mujorit, përkundrejt 120 milion vezë krahasuar në të njëjtën kohë të një viti më parë. Por, ajo që është më inkurajuese është që ne kemi eksportuar vezë, kemi eksportuar rreth 16 milionë kokrra vezë të freskëta, kryesisht në Greqi, por ndërkohë prodhuesit tanë po lidhin kontrata për eksporte edhe në Gjermani. Kjo është diçka tepër inkurajuese, pasi unë kam bindjen që kjo jo vetëm është një bujqësi që eksporton, është një bujqësi që zhvillohet, është një bujqësi që krijon të ardhura për ekonominë kombëtare.
A ka pasur ndikim importi për shkak të embargos ruse?
Së pari, nga të dhënat që unë paraqita, tregon që embargoja ruse nuk ka pasur ndonjë ndikim në eksportet shqiptare. Përkundrazi, eksportet shqiptare të perimeve, të frutave dhe produkteve të tjera janë dyfishuar. Ju thoni më të drejtë që ne eksportojmë një sasi të konsiderueshme drithërash nga tregu rus. Ajo që është inkurajuese, është që ne kemi një prodhim të mbarë të grurit. Unë pata një kontakt të zgjeruar me prodhuesit e miellit shqiptar dhe me prodhuesit e grurit brenda vendit për të inkurajuar blerjen masive të grurit tonë. Ne, nëse tradicionalisht kemi plotësuar vetëm 40 për qind të nevojave tona për bukë me grurin tonë, këtë vit aspirojmë të plotësojmë deri në 70 për qind të nevojave me grurin tonë. Padyshim që kjo është një çështje e raportit kërkesë-ofertë. Por, kërkova që të dy palët të gjejnë rrugën dhe mënyrën në mënyrë që të tërheqim me çdo kusht çdo kokërr gruri tonën, i cili shquhet edhe për cilësi shumë më të lartë në krahasim me grurin e importit. Ju e dini që ne kemi paraqitur tashmë paketën e re të standardit dhe cilësisë të sigurisë së grurit. Ndaj ne i qëndrojmë shumë strikt, pavarësisht edhe nga ndonjë presion që na vjen, paketës sonë të standardit dhe cilësisë së grurit, ku insistojmë që gruri për bukën masive të ketë përqindjen e proteinës 12 %, për arsye se gruri dhe buka është produkti kryesor që konsumohet nga shqiptarët.
A pritet të ketë rritje të çmimit të miellit për shkak të kësaj embargoje?
Nuk pritet që ne të kemi një rritje të çmimit të bukës apo të miellit, pasi oferta është e bollshme, kështu që, edhe eventualisht mbyllja e ndonjë porte të importit absolutisht kompensohet me oferta të tjera të krahasueshme dhe të pranueshme. Dhe buka e shqiptarëve absolutisht që nuk do të ketë ndryshim të çmimit. /e.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





