Transmetuar më 18-08-2015, 18:46

Tiranë, 18 gusht 2015, NOA.al- Ndeshja mes Skënderbeut dhe Dinamo Zagrebit e cila luhet për playoff-in e  Champions League, po pritet me interes të madh nga sportdashësit shqiptarë. Një ditë para ndeshjes, trajneri i ekipit të Skënderbeut, Mirel Josa ka dalë në një konferencë për shtyp.  Ai ka deklaruar se ekipi kundërshtar ka bërë histori në futbollin kroat dhe se Skënderbeu do luajë për fitore.

“Skënderbeu ka 5 vite që ka një ecuri të mirë. Duhet të jemi koherent me realitetin. Përballë kemi Dinamon e Zagrebit që ka bërë histori në futbollin kroat. Në këto pozita kemi ardhur me meritë dhe me këmbët tona. Nuk duhet te merremi me çfarë kemi arritur por se çfarë do bëjmë. Dinamo e Zagrebit është një skuadër në rritje. Nuk jemi të privilegjuar nga shorti por mendojmë se do luajmë lirshëm. Dinamo është një skuadër cinike dhe mjaft e rrezikshme. Do luajmë për fitore. Normalisht duhet të bëjmë kujdes të mos pësojmë dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi për të shënuar. Rezultati do tregojë forcën e Skënderbeut”, është shprehur Josa.

Tekniku ka siguruar se skuadra e tij do të bëjë maksimumin dhe se nuk ka vetëkënaqësi. “Skuadra ime nuk ka vetëkënaqësi. Vërtet kemi arritur një objektiv. Vështirësitë sa vijnë e rriten. Mendoj se nesër do ta bëjmë diferencën në momente të veçanta. Deri tani nuk kemi qenë perfektë por do japin maksimumin. Dinamo ka lojtarë cilësorë nga mesi e përpara. Kanë sulmues e mesfushorë cilësor”, ka thënë Josa.

Ndërkohë që kapiteni i Skënderbeut Blendi Shkëmbi tha se skuadra duhet të jetë perfekte ndaj kundërshtarëve që të arrijë kualifikimin.

“Skuadra nuk do kalojë në vetëkënaqësi por do luftojë për të arritur një rezultat pozitiv. Jemi të kënaqur me atë çfarë kemi arritur deri tani. Duhet të jemi perfekt ndaj Dinamos së Zagrebit që të arrijmë kualifikimin”, ka thënë Shkëmbi. /e.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd