Transmetuar më 18-08-2015, 18:20

Tiranë, 18 gusht 2015, NOA.al- Pas shembjes së shtëpisë muze në Gjirokastër ka ardhur edhe reagimi zyrtarë i Ministrisë së Kulturës. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, kjo ministri shprehet se, objekti  i njohur si “Gjashtëkëndëshi në Qafën e Pazarit”  i ndodhur në qendër të  pazarit karakteristik,  në  mesin e pazarit nga ku ndahen pesë rrugët karakteristike të qytetit ka shfaqur probleme qëndrueshmërie , të cilat pavarësisht  investimit  të vitit 2009, i cili preku gjithë Pazarin karakteristik, tregojnë për një restaurim  të punuar jashtë parametrave teknikë e profesionalë.

Ministria e Kulturës sqaron se  DRKK e Gjirokastrës ka ndjekur hap pas hapi të gjithë problematikën e banesës duke konstatuar një dëmtim të çatisë , si pasojë e ndërhyrjeve  të rënda teknike  në vitin 2009.  Nuk kemi të bëjmë me shembje, apo rënie të fasadës, siç është raportuar në disa media.  Është konstatuar dhe raportuar edhe disa herë më parë se ky dëmtim vjen si pasojë e ndërhyrjes në objekt, ku, çatia  është mbuluar me rrasa  guri, që kanë rënduar mbulimin.  Në gjendjen e sotme kjo ka shkaktuar  dëmtim të trarëve mbajtës dhe të pllakave të  çatisë.

Gjithashtu vërehet se elementë drusorë të përdorur ne konstruksionin e çatisë janë  jo të përshtatshëm për çatinë gjirokastrite.

Në kushtet emergjente masat e para të marra nga DRK-Gjirokastër janë drejtuar në  përforcimin  e strukturës, në ndërrimin e skemës statike të çatisë, si dhe përforcimi i strukturës me ngritjen e skelerisë, në vendosjen e kollonave të drurit, shkarkimi i një pjese të ngarkesës në dyshemenë e betonit, restaurim i vitit 2009.

Me ndërhyrjen e fundit në datat 17 dhe 18 gusht 2015 nga specialistët e DRKK-Gjirokastër u arrit të  stabilizohet qëndrueshmëria e çatisë dhe objekti mund të quhet i sigurt.

Objekti është pjesë e projektit të  bashkëpunimit me Agjencine turke TIKA  që mundëson ndërhyrjet fizike për mirëmbajtjen e monumenteve historike dhe kulturore në qendrën historike të Gjirokastrës, në zbatim të rekomandimeve të UNESCO.

Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Agjencia TIKA kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi lidhur me ndërhyrjet fizike për mirëmbajtjen e monumenteve historike dhe kulturore në qendrën historike të Gjirokastrës.

Si pasojë e kësaj marrëveshjeje është kryer faza e parë, rilevimi i qendrës historike, i cili ka përcaktuar ndërhyrjet e duhura në monumentet e veçanta të kulturës në qendrën historike të Gjirokastrës, pjesë e të cilës është edhe objekti i njohur si “Gjashtëkëndëshi në Qafën e Pazarit” .   /e.gj/noa.al Gjirokastër, shembet godina 6 këndëshe në qafën e Pazarit

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd