Transmetuar më 18-08-2015, 15:00

Tiranë, 18 gusht 2015, NOA.al- Partia Demokratike thotë se OSHEE ka vendosur të mbledhë një shumë të madhe parash, 720 milionë lekë, për t’ia dhënë një miku të qeverisë.

Zëdhënësja e demokratëve Oriela Nebiaj në një dalje të sotme për mediat nga selia blu deklaroi se po ndiqet praktika e vendosur tashmë nga Edi Rama, me koncesionet dhe tenderat e tij, ku kriteret qepen në mënyrë të atillë, që ti shkojnë për shtat fituesit të paracaktuar.

Sipas saj, është hera e parë që OSHEE vendos të shpenzojë kaq shumë para për trainime dhe se sipas ekspertëve, organizata e shpërndarjes së energjisë, ka mbledhur të gjithë tranjmet bashkë, për t’ia dhënë me një dorë klientit të Edi Ramës.

“Këto 720 milionë lekë që dorovit OSHEE sipas qejfit e interesave, janë sa vlera e 8 mijë e 728 pensioneve në fshat, sa 4 mijë e 799 pensione në qytet, 10 mijë e 511 pagesa papunësie, dhe 19 mijë e 846 ndihma ekonomike. OSHEE është denoncuar për afera korruptive vazhdimisht, dhe abuzimin e ka tiparin e saj kryesor. OSHEE ka aplikuar që në fillim dy standarde, duke dërguar në burg e duke i nxitur drejt vetvrasjes famijarë të pamundur për debi deri në 30 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që ka favorizuar klanet afër qeverisë e deputetë me detyrime qindra milionë lekë energji”, u shpreh Nebiaj.

Më tej ajo tha se OSHEE është e specializuar në abuzime, pasi vetë drejtuesi i saj, i përzgjedhuri i Edi Ramës në krye të organizatës, është hetuar për abuzime në dhjetra tendera në Bashkinë e Durrësit.

Nebiaj nënvizoi se tenderi i fundit, të cilin e cilësoi si porosinë e fundit për ti dhënë njeriut të Edi Ramës 720 milionë lekë, është në vazhdën e skandaleve qeveritare me fondet publike, me taksat e qytetarëve.

Në emër të PD ajo i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë këtë rast të abuzimit financiar, duke shtuar se Partia Demokratike do të vërë para ligjit e para përgjegjësisë abuzuesit me fondet publike, sapo shqiptarët ti besojnë drejtimin e vendit./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd