



Tiranë, 18 gusht 2015, NOA.al- Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, u bën apel kontraktorëve që po restaurojnë kopshtet e çerdhet për të përfunduar rikonstruksionin e objekteve arsimore brenda datës 28 gusht.
Gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e kopshtit nr. 24, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se çdo institucion arsimor do të jetë gati për të pritur më të vegjlit e qytetit, me cilësinë dhe dinjitetin që duhet të ofrojnë objektet publike në qytet.
Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se për kopshtet puna ka nisur dhe mbetet veçse të përshpejtohen, për të kapur në kohë fillimin e sezonit të ri dhe për këtë arsye, ai u ka kërkuar të gjithë kontraktorëve që të punojnë edhe me tre turne.
“U kërkoj të gjithë kontraktorëve që të punojnë me tre turne, për t’u siguruar që shtatori t’i gjejë familjet e Tiranës me kopshte të reja, ku mund të çojnë fëmijët e tyre, të ndihen të sigurt se janë marrë masat sepse gjatë verës është punuar për të mbajtur hapin e bashkisë së re të Tiranës”, tha Veliaj.
Veliaj preku edhe situatën me çerdhet, ku biznese apo individë të ndryshëm po i bashkohen nismës “Adopto 1 çerdhe” për të tejkaluar këtë emergjencë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se prej borxhit 28 milionë euro që u trashëgua nga bashkia e kaluar është krijuar një situatë e vështirë me çerdhet, duke lënë jashtë financimit 31 prej këtyre objekteve.
“Më vjen mirë që apelit tonë, sipërmarrësit u janë përgjigjur duke adoptuar rreth gjysmën e çerdheve dhe angazhohen vullnetarisht për ta adoptuar dhe siguruar që lyhet, suvatohet, pastrohet, pra të jetë gati për fillimin e vitit të ri shkollor”, deklaroi Veliaj.
Ai falenderoi të gjithë ata dhe që u bënë pjesë e kësaj nisme dhe u kërkoi një pjesë të mirë të bizneseve të Tiranës se ka edhe një javë kohë për të kapur afatin që të gjitha çerdhet e qytetit të jenë në një gjendje dinjitoze për të pritur banorët e vegjël.
Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, ka prezantuar edhe administratorin e njësisë Dajt, Kujtim Qefalia./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





