Transmetuar më 17-08-2015, 15:56

Tiranë, 17 gusht 2015, NOA.al- Ministria e Brendshme del me deklaratë zyrtare lidhur me çështjen e afatit të vlefshmërisë të pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën prill 2009 deri në korrik 2010, për personat e moshës nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit për pasaportë biometrike.

Kjo ministri thotë se në bazë të ligjit, “Për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit”, i ndryshuar, afati i vlefshmërisë së pasaportave për këtë kategori shtetasish është 5 vjet, në përputhje dhe me standardet ndërkombëtare të dokumenteve të udhëtimit.

Në vijim bëhet e ditur se gjatë periudhës prill 2009- korrik 2010, në qeverisjen e kaluar, për shtetasit shqiptarë nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit janë lëshuar rreth 156 mijë pasaporta me afat vlefshmërie jo të saktë, 10 vjet, ndërkohë që duhet të ishin 5 vjet.

Ministria e Punëve të Brendshme nënvizon se afati 5 vjeçar i vlefshmërisë së pasaportave biometrike, për fëmijët 0 – 16 vjeç është një standard i njohur ndërkombëtar, për shkak të ndryshimit në kohë të karakteristikave fizike të shtetasve të kësaj moshe.

Më tej deklarohet se me ardhjen e qeverisë së re në vjeshtën e 2013, Ministria e Punëve të Brendshme duke konstatuar problematikën dhe ka marrë masa për menaxhimin dhe zgjidhjen e tij.

MPB thotë se propozoi shtyrjen e afatit të këtyre pasaportave me një vit shtesë, duke i bërë këto pasaporta të vlefshme për 6 vjet, në mënyrë që t’u lihet kohë shtetasve të marrin masat për pajisjen me pasaportë të re biometrike.

Propozimi i MPB-së është miratuar në Kuvend në prill 2014, ku përcaktohet se “Afati i vlefshmërisë së pasaportave biometrike, të lëshuara gjatë periudhës 1 prill 2009- 31 korrik 2010, me afat vlefshmërie 10 vjet, për të gjithë shtetasit shqiptarë me moshë deri në 16 vjeç në kohën e aplikimit, zgjatet me 1 vit nga dita e plotësimit të afatit ligjor prej 5 vitesh.”

Në të njëjtën kohë Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë masat për njoftimin e shtetasve që preken nga ky problem dhe prej gushtit 2014 ka vijuar me njoftimin e tyre:

-në Pikat e Kalimit Kufitar (nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë në kufi dhe posterave, fletëpalosjeve)

-në Zyrat e Gjendjes Civile dhe Komisariatet e Policisë (nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë  nga punonjësit dhe posterave, fletëpalosjeve)

-në median e shkruar dhe elektronike

– deklaratat  të herëpashershme dhe vazhdueshme nga zyrtarët të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme

-nëpërmjet Ambasadave dhe Zyrave konsullore të Republikës së Shqipërisë, për shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë Republikës së Shqipërisë

-nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjithashtu Ministria e Punëve të Brendshme thotë se ka marrë të gjithë masat e nevojshme për përballimin e kërkesave në rritje për pajisjen me pasaportë, kjo për shkak dhe të fluksit të emigrantëve, një fluks ky i përvitshëm në këtë periudhë, duke fuqizuar infrastrukturën e nevojshme në zyrat e aplikimit dhe shpërndarjes së këtyre dokumenteve, si dhe ka zgjatur orarin e shërbimit, duke i shërbyer dhe shtetasit të fundit në sportel.

Në vijim të fushatës informuese, Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë  shtetasit shqiptarë të marrin masat e nevojshme për pajisjen me pasaporta të reja para përfundimit të afatit të vlefshmërisë të pasaportave ekzistuese./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd