


Durrës, 17 gusht 2015, NOA.al- Motrat Kajtazi janë paraqitur sot në Gjykatën e Durrësit për tu njohur me masën e sigurisë. Pas shqyrtimit të materialeve të paraqitura nga prokuroria, gjykata e ka gjetur të ligjshëm arrestimin e dy motrave dhe ka dhënë masën e arrestit me burg për Orialda Kajtazin dhe detyrim paraqitje për Klevisa Kajtazin, të cilat akuzohen për “vjedhje” dhe “shkatërrim të pronës”.
Gjatë seancës dy motrat Orialda dhe Klevisa Kajtazi, kanë shpjeguar para trupit gjykues arsyet pse kanë ndërmarrë veprime të tilla.
Ata pretendojnë s e janë dhunuar dhe keqtrajtuar nga familjarët e tyre dhe kjo ka çuar ata në vendimin për verdhjen dhe djegien e shtëpisë së tyre.
Gjithashtu ato kanë pranuar se ju kanë dhënë ilaçe gjumi familjarëve, por sipas tyre qëllimi nuk ka qenë për ti vrarë por për ti qetësuar.
“Nuk kishim qëllim ti helmonin por vetëm ti qetësonim. U trembëm kur erdhi policia, menduam të vrisnim veten por më pas vendosëm të iknim dhe na erdhi në mend vendosja e zjarrit për të mos lënë gjurmë”, është shprehur në mbrojtjen e saj Orialda Kajtazi .
Nga ana e saj Prokuroria ka kërkuar që 14 vjeçarja Klevisa Kajtazi të vazhdojë shkollën dhe të paraqitet në gjykatë çdo të hënë.
Motrat Kajtazi pranojnë në prokurori: Helmuam prindërit dhe dogjëm shtëpinë, na rrihnin
Motrat Majtazi kanë konsumuar veprat penale të “vjedhjes” dhe “shkatërrimit të pronës me anë të zjarrit”, ky është përfundimi që ka arritur organi i prokurorisë pas hetimeve paraprake.
Pas hetimeve paraprake, Prokuroria bën të ditur se nga aktet e grumbulluara gjatë hetimit vërtetohet që, me dashje dhe veprime aktive, shtetaset Orialda dhe Klevisa Kajtazi, duke marrë sende dhe një shumë të hollash nga banesa e familjes së tyre për t’i vënë flakën më pas, kanë konsumuar veprat penale të “vjedhjes” dhe “shkatërrimit të pronës me anë të zjarrit”, vepra këto të parashikuara nga nenet 134/2 dhe 151 të Kodit Penal.
Hetimet i referohen ngjarjes së 16 korrikut 2015, pak pasi kishte kaluar mesnata, kur në “lagjen 15” të Durrësit, në banesën e shtetasit Hyqmet Kajtazi ka rënë zjarr dhe janë djegur sende e orendi shtëpiake, por në shtëpi nuk ka pasur njerëz, sepse kryefamiljari, bashkëshortja Anila Kajtazi dhe vajza e tyre më e madhe, Alketa Kajtazi, ndodheshin në Spitalin e Traumës në Tiranë prej shenjave të helmimit të një dite më parë, më 15 korrik.
Banorët e zonës që konstatuan zjarrin nuk gjetën njeri në banesë, edhe pse aty kishin qëndruar dy vajzat e tjera të familjes, Orialda dhe Klevisa Kajtazi, të cilat më pas rezultoi se ishin larguar në drejtim të paditur. Bashkë me to, në shtëpi – siç konstatoi kryefamiljari Hyqmet Kajtazi, – mungonin edhe një shumë e mirë të hollash, prej 400 mijë lekësh dhe 800 eurosh.
Pas hetimeve të kryera nga policia, si dhe pas deklarimeve të dy vajzave në rajonin e Policisë së Durrësit, përpara se ato të largoheshin nga shtëpia i kanë vënë zjarrin banesës dhe kanë lënë një letër të shkruar, me qëllim që ngjarja të dukej sikur ishte kryer nga persona, që donin të hakmerreshin. Përmbajtja e letrës së shkruar me dorë ishte e dyshimtë dhe në të lexohej “Meti ta mora hakun, të lashë pa shtëpi dhe pa dy vajzat e tua, që nuk do t’i shohësh më me sy kurrë”. Pas ekspertimit grafik të kryer më 29 korrik 2015, ka rezultuar se dorëshkrimi i tekstit në formën e një letre drejtuar Metit duhet të jetë shkruar nga vajza Klevisa Kajtazi, krahasuar me modelet e paraqitura.
Në momentin e arrestimit në Vlorë, më 13 gusht, në banesë u sekuestruan edhe 100 mijë lekë e 100 euro, telefona celularë, pasaportat në emër të Alketa dhe Orialda Kajtazit, si dhe karta e identitetit të motrës së madhe Alketa Kajtazit. Në deklarimet e dhëna, shtetaset Orialda dhe Klevisa Kajtazi kanë shpjeguar se të dyja kanë pasur konflikte në familje, janë keqtrajtuar nga prindërit dhe nga motra e madhe Alketa, si dhe janë dhunuar fizikisht prej tyre. Për të dalë nga situata e krijuar në familje u ka lindur mendimi të përdorin në ushqimin e gatuar ilaçe gjumi, të cilat janë përdorur dy herë prej tyre. Herën e parë në muajin maj 2015 dhe herën e dytë në datën 14 korrik 2015, që kanë sjellë si pasojë shqetësime shëndetësore dhe shtrimin e familjarëve në spital.
Por, pasditen kur familjarët rezultonin të shtruar në spital, dy vajzat e mbetura në shtëpi janë vizituar nga punonjës policie për të parë dhe pyetur mbi shkakun e helmimit. Vajzat e kanë ndierë veten të frikësuar dhe kanë vendosur të largohen nga banesa, si e vetmja mënyrë për të mbuluar atë që kishte ndodhur me ilaçet në ushqimin e prindërve, e njëkohësisht për të shpëtuar prej keqtrajtimit të tyre.
Motrat Kajtazi: E vërteta jonë i çjerr maskën atyre që e quajnë veten prindërit tanë
Helmimi i prindërve e djegia e shtëpisë, motrat Kajtazi gjenden në Vlorë
Helmuan prindërit dhe dogjën shtëpinë, dy motrat folën në telefon me një femër para zhdukjes
Dy të mitura helmojnë prindërit e motrën dhe i vënë zjarrin shtëpisë
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





