
Tiranë, 16 gusht 2015, NOA.al- Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në rrjetin e si tij social në Facebook, lidhur me mbajtjen për 11 orë të një vogëlushi në komisariatin Pogradecit. Akuzë kjo që u ngrit nga nëna e djalit, por që u mohua nga uniformat e policisë.
Ish-kryeministri Berisha shprehte se policia mbajti familjen në komisariat për 11 orë dh nuk pati asnjë reagim nga kryeministri Rama apo institucionet e tjera shtetërore për këtë skandal.
Deklarata e plotë e ish-kryeministrit Berisha:
“Të dashur miq, "çunat e krimit" mbajtën për 11 orë në terror, torturë psikologjike dhe fizike një vogëlush 4 vjeçar, të atin e të cilit policia e arrestoi për shkelje ligji. E ëma, nga komisariati shtroi në gjendje serioze djalin në spital dhe akuzoi policinë për terrorin e ushtruar ndaj tij në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit dhe normave më elementarë të sjelljes dhe qëndrimit ndaj fëmijëve.
Policia mbrojti krimin e vet duke deklaruar se djali u shtrua me virozë, gjë që rëndon edhe më shumë qëndrimin e tyre kriminal se e mbajtën për 11 orë në komisariat, pa bukë, pa ujë, pa ilaçe, të sëmurë. Para kësaj ngjarje që tronditi thellë çdo fëmijë, të rritur e prindër të vendit, Edvin Kristaq Rama, njëlloj si dhe në raste të tjera analoge, heshti si fije bari në jahtin e tij luksoz ku po shplodhet dhe zbavitet.
Pas tij, në ligjin e tyre heshtën të gjithë shpura e zyrtareve të tjerë, madje dhe organizatat e mbrojtjes të të drejtave të njeriut. Rama përcolli me heshtje skandalin e vogëlushit 4 vjeçar, sepse për atë, pavarësisht nga mosha, djali është armik dhe armiku në ligjin e etërve të tij nuk ka moshë. Po kështu, shpura e zyrtarëve të tij janë njerëz që ndjekin verbërisht atë, sikur vet të mos ishin prindër, të mos kishin fëmijë. Për Ramën dhe suitën e tij, fëmijë janë vetëm fëmijët e tyre, ndërsa fëmijët e tjerë mund të jenë leckamanë, varfanjakë, pisanjosë, madje, në varësi nga prindi, edhe armiq.
Heshtja e Ramës dhe shpurës së tij është dëshmi e shpirtkazmërisë së tij ndërsa akti i përsëritur i torturave psiqike dhe fizike të fëmijëve nga "çunat e krimit", është fytyra e vërtetë çnjerëzore e Edi Ramës, shtetit të tij policor, kurse heshtja e organizatave dhe institucioneve që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve është një aktakuzë e rëndë për hipokrizinë e tyre! sb”
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





