Transmetuar më 15-08-2015, 17:55

Vdekje e dhimbshme për një grua në moshë të re në Pogradec e cila u masakrua në rrethana të një konflikti për motive të dyshuara xhelozie, në banesën ku jetonte me të shoqin.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës në orën 17.25 në fshatin Proptisht, komuna Mokërr të Pogradec Pogradecit, raporton noa.al, duke cituar burime zyrtare nga policia lokale.

Në banesë teksa burri torturonte gruan e tij ishin edhe dy fëmijët e tyre që janë traumatizuar nga skenat që vazhduan për minuta të tëra.

Gruaja 35 vjeçare, Lirie Çekani, u përfshi në një sherr xhelozie dhe i shoqi nën një papërmbajtje dhune e ka qëlluar egërsisht dhe më tej e ka lidhur me lidhësen e tutave sportive që mbante veshur.

Më tej e ka qëlluar me thikë buke, dy herë në fyt. Më pas i ka shtrënguar lakun në fyt dhe i ka marrë jetën duke e mbytur.

Gruaja është gjetur e pajetë në banesë nga infermierja dhe kryeplaku i fshatit, të cilët kanë njoftuar policinë.

Detajet e fundit nga hetimet

Sipas hetimeve paraprake, si dhe nga deklarimet që i janë marrë kryeplakut dhe infermieres së fshatit, mësohet se Lirie Çekani, ka humbur jetën që kur ka ndodhur krimi. Sepse ata e kanë gjetur pa shenja jete, kur kanë mbërritur, pak minuta pasi ngjarja kishte ndodhur.

Policia tha se viktima dyshohet se ka ndërruar jetë si rezultat i mbytjes.

Policia tha se ishte bashkëshorti i saj, Zamir Çekani, 40 vjeç, banor i Pogradecit, autor i krimit ndaj dhe ka bërë arrestimin e tij. “Ne e kapëm të dyshuarin pasi ai ishte larguar nga banesa dhe po përpiqej të merrte arratinë. Ai u lokalizua dhe u rrethua disa qindra metra larg shtëpisë dhe u prangos pa rezistencë”, – i thanë NOA-s, burime policore që i referohen të dhënave të grupit hetimor që shkoi në vendngjarje.

NOA zbardhi edhe marrjen në pyetje të Zamirit mbi armën e krimit dhe ai ka folur me të shkuar në polici me pranga. Sipas deklarimeve të marra Zamir Çekanit, thikën me të cilën, ai ka qëlluar bashkëshorten, e ka hedhur jashtë banesës.

Thika, për shkak të errësirës dhe terrenit të vështirë, ende nuk është gjetur.

Sipas hetimit, Zamiri, një burrë rreth 40 vjeç që në zonën ku banon njihet si i alkoolizuar dhe i dhunshëm.

Fillimisht u raportua se gruaja ishte e plagosur rëndë, por ishin vetë banorët e zonës që me dëshmitë e tyre konfirmuan më herët vdekjen e gruas, edhe pse një deklaratë e tillë nuk u bë nga policia.

Policia tha se i dyshuari u shoqërua për në komisariatin e Pogradecit, si i akuzuar për vrasjen e gruas që ishte bashkëshortja e tij e dytë pas një martese të parë që përfundoi me divorc.

Shkaku i vrasjes, ka qenë për motive të dobëta, banale. Të dy bashkëshortët, kanë pasur mosmarrëveshje, të cilat kanë filluar rreth një muaji më parë.

Në këtë mënyrë, një sherr për motive të dobëta përfundoi me vrasje të dhimbshme të gruas së re dhe dërgimin në qeli të të shoqit.

Ndërsa dy fëmijët e mitur të çiftit, tashmë të mbetur jetimë, do të përballen me dramën e humbjes së nënës dhe mungesës ndoshta për shumë vite të pranisë së babait të tyre. /a.f/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd