Transmetuar më 15-08-2015, 16:50

Unioni i Bashkive dhe Komunave gjermane shpallën sot zyrtarisht kërkesën e tyre për qeverinë e Angela Merkel në Berlin dhe Bundestagun, që të pranojnë propozimin e tyre që shqiptarëve t’u rikthehet regjimi i vizave si masë për frenimin e azilantëve.

Në këtë mënyrë, Gjermania bëhet vend i parë që kërkon rikthim të vizave për shtetasit shqiptarë, më pak se pesë vjet nga dhjetori 2010 kur filloi më në fund lëvizja e lirë.

Krerët e bashkive dhe komunave, të grupuar në Unionin e Bashkive dhe Komunave të Gjermanisë, thanë se po u propozojnë autoriteteve në Berlin, ashpërsimin e politikave për refugjatët, veçanërisht për ata nga Ballkani.

Rikthimi i regjimit të vizave, sipas tyre, duhet parë si alternativë nëse shpallja si vende të sigurta origjine e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, ndalimi i rikthimit për azilantët të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, apo masa të tjera, nuk arrijnë të ndalin fluksin e azilkërkuesve në Gjermani.

Një tjetër propozim vjen nga Ministri i Ekonomisë së shtetit federal gjerman të Hesenit, Tarek Al-Vazir. Në një intervistë për televizionin publik lokal, Al-Vazir propozon që shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, t’u jepet një perspektivë ligjore emigrimi në Gjermani, në mënyrë që ata të mos marrin mundimin për të kërkuar azil, në një kohë që në vendet e tyre kanë probleme ekonomike.

Sakaq, kryetari i Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët, Manfred Shmit, tha për mediat gjermane se ditët e fundit ka nisur aplikimi i rregullores së re të hyrë në fuqi më 1 Gusht, që u ndalon rihyrjen në zonën Shengen azilkërkuesve, të cilëve u është refuzuar azili në Gjermani.

Berlini: Të rishikohet pagesa, po joshim refugjatët, paguhen sa një polic në Shqipëri

Lehtësira për leje qëndrimi shqiptarëve që shkojnë për azil në Gjermani

Ministri gjerman: Azilkërkuesit nga Ballkani, turp për Europën

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd