
Tiranë, 15 gusht 2015, NOA.al- Një i dënuar me burg përjetë për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e një tjetri në vitin 1997 në Vlorë, është ekstraduar nga Greqia.
Interpol Tirana gjatë ditës së sotme ka bërë ekstradimin e 44 vjeçarit, Fatmir (Gazmir) Zeneli nga Vlora.
Burime zyrtare nga policia thanë për Noa.al, se Gjykata e Apelit Vlorë në shtator të vitit 2000 e ka dënuar Zenelin me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasje me dashje”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Ai akuzohet se në datën 5 maj të vitit 1997, pasi ka konstatuar se personi ndaj të cilit do të hakmerrej ndodhej në afërsi të një bilardoje në hyrje të qytetit të Vlorës, ka ndaluar makinën e tij.
Më tej bashkë me automatikun që kishte me vete ai është nisur drejt shënjestrës së tij Lutfi Hyseni, i cili ndodhej në hyrje të bilardos.
Viktima sapo ka parë “hasmin” të armatosur që vinte drejt tij, ka hyrë me nxitim në bilardo dhe ka tentuar të mbrohej pas trupit të Agron Çeçit, ndërkohë që i Zeneli ka qëlluar drejt tij.
Si pasojë e breshërisë së të shtënave gjetën vdekjen edhe Hyseni edhe Çeçi, ndërsa mbeti i plagosur një tjetër person që ndodhej në bilardo, Durim Pulaj.
Mësohet se Zeneli i cili kishte ndryshuar emër nga Fatmir në Gazmir për disa vite kishte arritur t’i shpëtonte drejtësisë, ndërsa në 30 mars të këtij viti u arrestua në Greqi, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. /a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





