
Partia Socialiste iu rikthye replikave politike me opozitën, pasi sot, nxori një nga deputetët e saj për të polemizuar në distancë me kreun demokrat.
Deputeti Ervin Bushati sugjeroi sot në daljen për media se modeli që ofron Lulzim Basha është i njëjtë me atë që ofroi për tetë vjet rresht Sali Berisha: “Zhytu në borxh, se pastaj fiton kundërshtari e lë të merret ai me borxhet”.
“Njësoj si Saliu, që e la Shqipërinë të zhytur në borxhe, borxhe të cilat shqiptarët dhe qeveria e re po i vuan ende sot, edhe Luli e la bashkinë e Tiranës në borxhe deri në fyt. Plot 30 milionë dollarë borxh, raporton administrata e re e bashkisë, thjesht e vetëm nga një audit fillestar i kryer në këto pak ditë”, – tha z.Bushati.
Por përveç shumës së borxhit me të cilën duhet të përballet bashkia e re e Tiranës dhe qytetarët e saj, i rëndësishëm është modeli i mbrapshtë i Lulzim Bashës, – vazhdoi ai.
“Gjithë këto ditë del e flet dhe akuzon qeverinë për mbledhjen e të ardhurave: edhe pse krahasuar me vitin më të mirë të Partisë Demokratike që ai mundohet të drejtojë, kjo qeveri ka mbledhur shumë më shumë”, – tha Bushati, duke përdorur edhe doza ironike në frazën PD që ai mundohet të drejtojë”.
Nga ana tjetër, deputeti socialist pranon se mbledhja e të ardhurave ka pësuar një rënie që ai theksoi se është përkohshme dhe vjen për shkak të faktorëve të jashtëm apo të ridimensionimit të ekonomisë, vënë në lëvizje dhe nga rritja e prodhimit vendas. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





